“Rasti Limaj ishte montuar nga vendorët dhe ndërkombëtarët”

“Rasti Limaj ishte montuar nga vendorët dhe ndërkombëtarët”

Avokati Tahir Rrecaj ka thënë se mospranimi i një numri dëshmish dhe vendimi lirues i gjykatës për akuzat ndaj Fatmir Limajt tregojnë se krejt rasti ishte montuar nga vendorët dhe ndërkombëtarët.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se duhet kompensuar dëmi që i është bërë Limajt, ndërsa ka kërkuar që misionit të Eulex në Kosovë të mos i vazhdohet as edhe dy ditë, lëre më dy vjet, siç është kërkuar.

“Është i kuptueshëm reagimi dhe fjalimi emocional i Fatmir Limajt, pasi akuzat ndaj tij kanë qenë të pabaza. Besoj ju kujtohen ngjarjet spektakolare të viti 2010, bastisjet dhe arrestimi i Limajt, si dhe deklarata e ish-kryeprokurorit të Eulex për këtë çështje, se kinse kanë dëshmi që ai ka keqpërdorur 80 milionë euro”.

“Prokuroria nuk ka pasur asnjë provë dhe do të ishte e çuditshme që të ankohen në këtë vendim, pasi edhe vet ngritja e akuzës ka qenë e habitshme, marrë parasysh faktin që nuk ka pasur fakte, kur kjo është bërë. Ky është një rast i montuar nga vendorët dhe ndërkombëtarët”, ka thënë Rrecaj.

Sipas Rrecajt ky është një tjetër dëshmi që misioni i Eulex-it  ka dështuar në Kosovë.

“Ky rast dhe rastet tjera kanë dëshmuar që misioni i Eulex ka dështuar në Kosovë. Ata kanë pasur mision sundimin e ligjit, por kanë punuar dhe vepruar ashtu siç nuk duhet. Unë kurrë nuk kam marrë shembull nga puna e tyre, pasi kanë dështuar krejtësisht. Mandati nuk duhet t’u vazhdohet as edhe dy minuta, lëre më dy vjet, siç po propozohet”, ka thënë Rrrecaj.