Reagimi i BE-së pas takimit mes Thaçit dhe Vuçiqit

Reagimi i BE-së pas takimit mes Thaçit dhe Vuçiqit

Në një komunikatë për media të Federica Mogherinit, thuhet se Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë që ka dialogu me normalizimin e raporteve ndërmjet tyre dhe perspektivës konkrete të aspiratave të tyre evropiane.

Në diskutimet e saj me dy presidentët Federica Mogerini theksoi nevojën që Kosova dhe Serbia të sigurojnë një mjedis të favorshëm për dialogun dhe të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka quajtur takim jo të lehtë, takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, të enjten në Bruksel.

Sipas Thaçit, ky ishte takim i fazës finale të dialogut. Ai e ka quajtur arrogant diskursin e Vuçiqit.

Ka thënë se “mbetet sfidë jo e lehtë e Kosovës që të ballafaqohet me palën serbe”.

Ai ka thënë se duhet që skena politike e Kosovës të bashkohet e të jenë pjesë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese.

“Është mundësi e vogël për marrëveshje, por duhet të vazhdojmë. Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga Serbia dhe delegacioni serb. Diskursi ynë ishte i argumenteve dhe anës së drejtë për arritjen e një marrëveshjeje të balancuar”, ka thënë Thaçi.

E Vuçiq ka thënë se “Serbia është e hapur për dialog, por edhe pala tjetër duhet të respektojë marrëveshjet”.

Një pjesë të madhe të diskutimit të tij, Vuçiqi e ka orientuar me kritika drejt vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vënë taksë prej 10 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja./Insajderi.com