Reagojnë nga Qeveria: Vajza e Kurtit e huazoi fustanin

Reagojnë nga Qeveria: Vajza e Kurtit e huazoi fustanin

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafë Kelmendi, ka reaguar pas raportimeve se vajza e kryeministrit Albin Kurti ka veshur fustan në vlerë prej 490 dollarëve në festivalin e filmit në Kanë, ku ka shkuar bashkë me prindërit për të ndjekur premierën e filmit kosovar me metrazh të shkurtër “Pa vend”, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, Kelmendi është shprehur se fustani i Leas është i punuar nga gratë e Kosovës, është huazuar dhe do t’i kthehet kreatoreve.

“Kryeministri ndodhet në Kanë në përkrahje të filmit kosovar dhe bashkëshortja e tij, ka huazuar dy fustane për veten dhe fustanin me dredhëza për të bijën, të disenjuara nga kreatoret kosovare Teuta dhe Lirika Matoshi. Me t’u kthyer në Prishtinë fustanet do t’u kthehen kreatoreve”, ka shkruar ajo.

Ishte zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ajo e cila ka zbuluar çmimin e fustanit që mbante veshur vajza e kryeministrit.

“Pedant, të veshur mirë, me rroba të dizajnuara fiks për shtati për trup të tyre; prapa skena glamoroze e Francës, e festivaleve e prestigjeve. Politikë e kthyer në qejfe personale. Se larg qoftë mos po mendon kryeministri për vendin e tij”, ka shkruar Kuçi në Facebook./Insajderi.com