Reagon ashpër Vlora Çitaku: I shërbej Kosovës, jo Hashim Thaçit

Reagon ashpër Vlora Çitaku: I shërbej Kosovës, jo Hashim Thaçit

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se ajo i shërben vendit dhe jo Presidentit Hashim Thaçi.

Kjo deklaratë e saj erdhi si kundërpërgjigje ndaj Haki Abazit, zëvendëskryeministrit të Kosovës i cili ka thënë sonte se ambasada Kosovës në SHBA i ka shërbyer më shumë presidentit Thaçi se sa interesit të vendit

“Kjo puna e Xhamajkës është pasojë e brishtësisë së funksionit të institucioneve të kaluara. Kemi një ambasadë në SHBA, që fatkeqësisht, jo për të drejtuar gishtin, që ka shërbyer më shumë si shërbim i presidentit se sa interesit të Kosovës, duke qenë se edhe presidenti edhe ambasadorja vijnë nga e njëjta parti politike, nga e njëjta vijë interesi. Kur kemi raste të tilla, kur bëjmë gafa si pasojë e mos përgjegjësisë ndaj vijës institucionale, atëherë sigurisht që do të mësohemi që përgjegjësia është edhe tek individët, që mbajnë postet në vijën diplomatike”, ka thënë Abazi, shkruan Insajderi.

E menjëhershme ka qenë edhe deklaratat e Çitakut kundër Abazit.

“Zëvendës Kryeministri i Kosovës, z.Haki Abazi qenka marrë pak me mua. Më paska quajtur mua dhe Ambasadën në SHBA instrumente në shërbim të Presidentit, e jo të Kosovës”.

“Nuk është hera e parë që z.Abazi merret me mua dhe shpif kundër meje. Nuk e kam kuptuar ende pse. Nuk i jam përgjigjur më herët sepse z.Abazi nuk ka mbajtur post publik dhe nuk ka pasur përgjegjësi publike”.

“Për më tepër, është e ditur botërisht që unë jam emëruar Ambasadore përmes çelësit politik, njësoj si shumë Ambasadorë tjerë. Kjo nuk është shkelje apo diçka e jashtëzakonshme. Në fakt, është e rregulluar me ligj. Si Ambasadore, unë i kam shërbyer Kosovës. Kam punuar me nder tërë jetën time. E tillë do të vazhdoj të jem”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në Facebook, transmeton Insajderi.

Lexo edhe: 

(Mos) njohja e Kosovës nga Xhamajka – vjen reagimi Vlora Çitakut