Reagon FFK-ja në lidhje me postimin e Federatës Spanjolle të Futbollit

Reagon FFK-ja në lidhje me postimin e Federatës Spanjolle të Futbollit

Një postim zyrtar i Federatës Spanjolle të futbollit në “Twitter”, ku përdori një gjuhë diskriminuese ndaj Kosovës me termin “territori i Kosovës” dhe jo shteti i Kosovës, reagon FFK-ja, njofton Insajderi.

Federata e Futbollit të Kosovës ka dalë me një deklaratë zyrtare ku shprehet e revoltuar dhe e indinjuar në të njëjtën kohë për këtë akt.

Në FFK janë të bindur se do të këndohet himni zyrtar i tyre dhe do të lejohet flamuri i shtetit të Kosovës.
Kosova me Spanjën do të përballen më datën 31 mars në kuadër të eliminatoreve për Kupën e Botës.

Ja deklarata zyrtare e FFK:

9 mars, 2021 – Federata e Futbollit e Kosovës lidhur me provokimin e sotëm të Federatës së Futbollit të Spanjës, e cila në paralajmërimin e ndeshjes kualifikuese të Botërorit “Katar 2022” që zhvillohet më 31 mars në Sevilla, Kosovës iu referua si territor, reagon si më poshtë:

Qasja e shtetit spanjoll në drejtim të shtetit të Kosovës fatkeqësisht ka qenë destruktive që nga shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, por kjo qasje dhe makijazhi që institucionet e këtij vendi mundohen t’i bëjnë shtetësisë së Kosovës, nuk mund ta ndryshojnë dot historinë dhe realitetin.

Kosova është shtet i pavarur, i pranuar nga shumica e vendeve më të zhvilluara e demokratike të globit dhe anëtare e barabartë me të gjitha shtetet tjera në UEFA e FIFA, që nga maji i vitit 2016.

Përpjekja e spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit për kualifikimet e Botërorit “Katar 2022”, duke iu referuar Kosovës si territor, është e kot dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër.

Kriteret e UEFA-s e FIFA-s janë të ditura e të qarta si kristali dhe Spanja e dinë këtë, prandaj çka do që thuhet e shkruhet nuk i ndërron këto rregulla dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërrohen. Nëse ata duan medialisht të arsyetohen para opinionit të brendshëm është çështje e tyre, por Kosova nuk do të bëjë asnjë lëshim – ne do të luajmë vetëm sipas kritereve dhe rregullave strikte të UEFA-s, me himn dhe flamur shtetëror, përndryshe ndeshja nuk do të zhvillohet.

Gjithsesi, për ne është e papranueshme kjo formë qasjeje e spanjolleve dhe menjëherë jemi vënë në kontakt me Federatën spanjolle, ku tani jemi në pritje të një reagimi të tyre të shpejtë. Nëse ata nuk do të reagojnë në këtë drejtim, atëherë ne do të jemi të detyruar të kërkojmë të drejtën tonë në UEFA, ku do të kërkojmë mbrojtje nga ky institucion, sepse jemi vend anëtar i UEFA-s me të drejta të barabarta sikurse 54 federatat tjera dhe Spanja është e obliguar të na trajtojë në atë formë.

FFK pret që Federata Spanjolle të sillet konform rregullave të UEFA-s e FIFA-s dhe të mos bëjë veprime të cilat dëmtojnë raportet ndërmjet federatave dhe dy shteteve tona.

/Insajderi.com