Ish ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kritikuar Qeverinë Hoti. Thotë se ka hequr dorë nga hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës. Si pasojë, kjo qeveri duhet të bije dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
Nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka reaguar Albulena Haxhiu duke kritikuar Qeverinë Hoti. Ajo thotë se “procesin qe e ka filluar sa ishte ministre e drejtësisë për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, kjo qeveri e ka hequr nga agjenda e saj”, njofton Insajderi.
“Pak ditë pasi kisha pranuar detyrën e Ministres së Drejtësisë, kam pritur në takim prokurorët special që merren me hetimin e krimeve të luftës.
Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi me kërkesat e prokurorisë speciale në raport me krimet e luftës dhe kam dhënë zotimin tim që do të adresoj secilën kërkesë vetëm e vetëm që krimet e luftës të trajtohen seriozisht dhe prokuroria të ketë mbështetjen e duhur për këto raste.
Kërkesë urgjente e kisha konsideruar ndryshimin e një neni tek Kodi i procedurës penale që i shërbente prokurorisë për adresimin sidomos të rasteve të krimeve të luftës që ishin transferuar nga EULEX”.
Më pas Haxhiu ka shtuar se qeveria jolegjitime me këtë akt është gjunjëzuar para Serbisë.
“Qeveria jolegjitime, në ditët e para të saj, ka treguar gjunjëzimin para Serbisë, duke filluar nga heqja e reciprocitetit e deri tek heqja dorë për njohje nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe mosanëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare por tani paska hequr dorë edhe nga mbështetja për institucionet e drejtësisë që hetojnë dhe gjykojnë krimet e luftës. Tërheqja e Qeverisë nga ky ndryshim tregon gjunjëzimin e saj para Serbisë dhe është tendencë për amnistim të krimeve të luftës”. /Insajderi.com