Reagon Jahjaga pas ndalimit për të marrë pjesë në Beograd

Reagon Jahjaga pas ndalimit për të marrë pjesë në Beograd

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar pas ndalimit të saj që të marrë pjesë në promovimin e librit “Unë dua të dëgjohem” në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”.

“Unë sot do të duhej të isha në Beograd për promovim të librit “Unë dua të dëgjohem” në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ku u ftova të mbaj fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Hyrja ime në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd”, ka reaguar Jahjaga në profilin e saj në facebook.

Ajo ka thënë se përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë.

“Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë me marrëveshje, por zyrtarët në Beograd kanë dështuar t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje, duke e shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën time”, ka shtuar më tej ajo.

“Zyra ime dhe organizatorët e festivalit janë në komunikim të vazhdueshëm për të siguruar pjesëmarrjen time në këtë festival, me bindjen se pranimi i së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë është e vetmja mënyrë që shoqëritë e dy vendeve të ecin përpara”, ka thënë më tej ajo.

Ajo ka thënë se nuk ka iluzione që zyrtarët e sotëm të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës. Sipas saj, ata po e vazhdojnë politikën e viteve të 90-a kur kanë qenë edhe protagonistë.

“Por dua të shpreh respektin tim për organizatorët e festivalit, një grup të rinjve dhe aktivistëve që nuk do të lejojnë që e ardhmja e tyre dhe e tërë rajonit të mbahet peng nga këta udhëheqës që duan ta fshehin të vërtetën. E vërteta nuk njeh kufij”, ka përfunduar ajo./Insajderi.com