Reagon PDK-ja pas zgjedhjes së Osmanit presidente

Reagon PDK-ja pas zgjedhjes së Osmanit presidente

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë me një komunikatë pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit në postin e presidentit, njofton Insajderi.

Përmes kësaj komunikate, PDK-ja thotë se zgjedhja e Osmanit erdhi nga “pazaret e pista”, dhe se ajo “do t’i shërbejë vetëm Kurtit”.

“Sonte, në seancë të territ e të pazareve të cilat do t’i marrim vesh më vonë, Kosova rrëshqiti në monizëm, duke iu bërë dëm i pariparueshëm demokracisë së vendit. Sonte, autoritari Albin Kurti nënshtroi deputetët e tij, presidenten tashmë të zgjedhur të vendit dhe çfarë është për keqardhje edhe një parti opozitare si LDK-ja, për të shtrirë kontrollin e tij të plotë mbi institucionet e Kosovës. Kurti fillimisht e ndau LDK-në, pastaj e shantazhoi dhe kur kjo nuk i mjaftoi, edhe e kërcënoi dhe e zhveshi nga dinjiteti që i kishte mbetur. Jo vetëm kaq, Kurti dhe Osmani u lëshuan në pazare me Listën Srpska dhe në blerje të deputetëve të opozitës, si Adelina Grainca, deputete e turpit që tradhtoi votuesit besnikë të PDK-së, për të siguruar votat në këmbim të favoreve dhe privilegjeve duke e komprometuar tërësisht këtë proces dhe duke e deligjitimuar pozitën e presidentit të shtetit”, ka thënë kjo parti, mes tjerash.

Më tej, PDK e konsideron “të padenjë, përçarëse dhe partiake” Vjosa Osmanin, e cila, sipas kësaj partie, “do t’i shërbejë vetëm kryeministrit Kurti por jo edhe qytetarëve të Kosovës dhe përfaqësimit të interesave të tyre”.

“Vjosa Osmani, presidentja e zgjedhur, nuk do të jetë asnjëherë presidentja valide, unifikuese dhe e të gjithë popullatës – por një figurë e grupeve biznesore, marionetë e një autoritari dhe emri që bëri të mundur goditjen më të madhe demokracisë së vendit”, ka theksuar PDK-ja në reagimin e saj./Insajderi.com