Reagon për herë të parë Shteti shqiptar: Si është e vërteta e mbytjes me litar të Florencit në Francë!

Reagon për herë të parë Shteti shqiptar: Si është e vërteta e mbytjes me litar të Florencit në Francë!

Florenc Beqiraj, 23 vjeçari nga Shkodra, i cili prej tri vitesh jetonte si azilkërkues në Francë, po lufton ende me vdekjen.

Florenci, i arrestuar nga autoritetet vendase në Marsejë në mungesë të dokumentacionit për leje qëndrim, tashmë ndodhet në spitalin Nord të këtij qyteti në gjendje kome, ndërsa ende nuk është konkluduar në një raport përfundimtar se çfarë i ndodhi të riut në burg që e çoi atë drejt kësaj gjendje.

Familjarët dyshojnë se djalin e vetëm të tyre kanë tentuar ta mbysin me litar, ndërsa autoritetet përgjegjëse ende i qëndrojnë versionit se i riu ka tentuar të vetëvritet duke u varur në litar.

“Gazeta Express” ditën e djeshme realizoi një intervistë ekskluzive me motrën e Florencit, Florencën, e cila aktualisht jeton në Mal të Zi për të mësuar më tepër rreth informacioneve që ata kanë marrë në rrugë zyrtare, por dhe miq të vëllait të saj.

Gjithashtu stafi i “Gazeta Express”, i cili po o ndjek me vëmendje rastin e të riut shkodran u interesua edhe pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë për të marrë informacion rreth angazhimit dhe punës së ambasadës tonë në Francë.

Edhe pse pista e parë e hetimit sipas ministrisë referuar edhe informacioneve që ka arritur të marrë në rrugë zyrtare shërbimi konsullor nga autoritete franceze, është ajo e tentativës për vetëvrasje, ende nuk ka një raport përfundimtar rreth kësaj ngjarje të rëndë që ka tronditur mbarë opinion publik.

“Shtetasi shqiptar Florenc Beqiraj, lindur më 27.09.1994, ndodhet që prej datës 15 dhjetor 2017 në spitalin Nord të Marsejës, pavijoni i reanimacionit Léon, në gjendje kome për shkak të mosfunksionimit të pjesës më të madhe të trurit, pothuajse pa asnjë shpresë për të jetuar. Pacienti mbahet në jetë nëpërmjet makinerive të asistencës vitale. Nga informacionet e deritanishme Shërbimi konsullor pranë Ambasadës tonë në Francë, është informuar nga burime të autoriteteve policore, se kjo situatë ka ardhur si pasojë e një tentative për vetëvrasje (me varje), që shtetasi në fjalë ka kryer gjatë qëndrimit të tij në qendrën e grumbullimit të personave pa dokumente, në Marsejë. Sidoqoftë, për momentin nuk ka një version zyrtar të ngjarjes, të konfirmuar nga organet hetimore e gjyqësore, duke qenë se hetimet ende nuk kanë përfunduar”, thuhet në reagimin zyrtar.

Ndërkohë që Shërbimi konsullor, që në datën 15 dhjetor 2017, ka qenë në mënyrë të pandërprerë në kontakt me spitalin, familjarët dhe me autoritetet që po merren me hetimet.

Ditën e djeshme pranë 23 vjeçarit ka shkuar edhe i ati, Gëzimi, i cili insiston gjithashtu se i biri është gjallë dhe se mjekët nuk duhet t’ia heqin tubat e oksigjenit. Për këtë ata kërkonin edhe reagimin e shtetit shqiptar, për të bërë të mundur që i riu të mbahet ende me tuba me shpresën se shumë shpejt do të rikthehet në jetë.