Reagon Qeveria pas konfirmimit të aktakuzave për Thaçin e Veselin: Lufta e UÇK-së, periudha më e ndritshme e historisë

Qeveria: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s”.

Reagon Qeveria pas konfirmimit të aktakuzave për Thaçin e Veselin: Lufta e UÇK-së, periudha më e ndritshme e historisë

Pas njoftimit se Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzat për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, ka reaguar Qeveria e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Reagimi i Qeverisë gjithashtu potencon se “bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare”.

Qeveria shton se “askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri”.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s”.

Në reagimin e Qeverisë gjithashtu thuhet se “Qeveria e Republikës së Kosovës, konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë”.

Kadri Veseli e Hashim Thaçi, njëri përmes një letre të shkruar, e tjetri në një konferencë për media, kanë njoftuar se janë njoftuar nga zyrtarë të Speciales se u është konfirmuar aktakuza.

Hashim Thaçi gjithashtu ka njoftuar se tash pas konfirmimit të aktakuzës, ai largohet nga posti i presidentit./Insajderi.com