fbpx

Reçica: Të drejtat e punëtorëve do të bëhen realitet, mbi 10 mijë inspektime u bënë në 2018-ën

Reçica: Të drejtat e punëtorëve do të bëhen realitet, mbi 10 mijë inspektime u bënë në 2018-ën

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se janë ndërmarrë një sërë fushatash vetëdijësuese që kanë të bëjnë me shëndetin dhe sigurinë në punë. Sipas ministrit Reçica, Inspektorati i Punës me kapacitetet që ka realizuar rreth 10 mijë inspektime gjatë vitit 2018, raporton EO.

Reçica është shprehur i bindur se të drejtat që punëtorëve që ua garanton ligji, do të bëhen realitet.

“Jemi duke adresuar, jemi duke krijuar kushte më të mira edhe në aspektin ligjor dhe teknik që punëtorët tanë të jenë të trajtuar dinjitetshëm. Të drejtat e tyre që i garanton ligji të jetë realitet për ta. Vitin e kaluar kemi ndërmarrë numër të konsiderueshëm të masave në krijimin e  infrastrukturës shëndetësore. Janë ndërmarrë një sërë fushata vetëdijësuese që kanë të bëjnë me shëndetin dhe sigurinë në punë. Përpos masave legjislative kemi punuar në zbatimin e legjislacionit në fuqi me kapacitetet që kemi në dispozicion”, u shpreh Reçica.

Ai ka gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore për sigurinë, shëndetin dhe kushtet e punës në sektorin privat në Kosovë; si dhe lidhur me koncept-dokumentin dhe draft-ligjin gjithëpërfshirës për skemat pensionale, tha se ka pasur angazhim të inspektoratit në inspektimin e vendpunishteve në sektorin e ndërtimtarisë. Sipas tij, ky sektor mbetet me shkallën më të lartë të rrezikshmërisë.

“Gjatë periudhës janar-dhjetor 2018 inspektorati i punës me kapacitetet aktuale ka realizuar rreth 10 mijë inspektime ku ka vendpunishte. Mbi 4 mijë inspektime të përsëritura. Ka pasur rritje të angazhimit të inspektoratit. Vitin e kaluar kemi filluar me fushata dhe angazhime në terren duke u përpjekur që vetëdijesimi sa i përket kushteve dhe sigurisë së punëtorëve ti bëjmë temë me qëllimin e vetëm që të ngritët vetëdija. Të gjitha këto fushata nuk na dhanë rezultatin që pritëm. Duke identifikuar sektorin e ndërtimtarisë si sektor me shkallën në të lartë të rrezikshmërisë dhe që ka fuqi punëtore të lartë ne në vjeshtën e kaluar filluam një fushatë më gjithëpërfshirëse”, tha Reçica, raporton EO.

Ai ka bërë të ditur se puna në terren ka pasur efektin e saj, sipas tij, vetëm në javën e parë të inspektimeve mbi 70 kompani kanë arritur t’i plotësojnë kriteret minimale.

“Dolëm në terren më intensivisht. Dhanë efekt por jo atë që dëshiruam, për të ardhur në muajin nëntor kur unë kërkova që krejt inspektorët të zbarkojnë në Prishtinë dhe kemi pezulluar pothuajse gjithë vendpunishtet që kanë punuar jashtë rregullave. Brenda javës parë mbi 70 prej tyre kanë arrit ti plotësojnë kriteret minimale. Shumica prej tyre kanë plotësuar kriteret dhe është vazhduar me punë. Gjobat janë dhënë vetëm kur nuk është respektuar vendimi i inspektoratit dhe kanë tentuar me vazhdu punën. Ka qenë numër fare i vogël”, tha ai.

Sipas ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, po të shëtitet në qytet vërehet fizionomia e ndërtesave që kanë ndryshuar pamje. Ai garanton se inspektime të tilla do të bëhen edhe më tutje.

“Ne nuk do ndalemi vetëm me zbatimin e kritereve, ne do përpiqemi të jemi prezent në secilën punishte që nuk është e lehtë sepse kapacitetet aktuale dhe numrin e madh të bizneseve është e pamundur të kemi inspektime të shpeshta. Megjithatë inspektorati do troket në derën e secilit punëdhënës”, u shpreh ministri Reçica.

Sa i përket Ligjit për Inspektoratin, Reçica tha se ai është në Kuvend, nga i cili pritet të fuqizohet roli i inspektoratit dhe pritet të shtohet numri i tyre.

“Rol i rëndësishëm është fuqizimi i rolit të inspektoratit të punës. Ligjin për inspektoratin e kemi në Kuvend. Krijon kushte më të mira të krijohet rol më i madh. Do të shtohet numri i inspektorëve në 20 të ri. Krahas këtij ligji kemi edhe Ligjin e Punës. Është ligj që është ndërtuar në bazë të direktivave të organizatës botërore të punës. Është ligj që iu ka përshtat rrethanave socio ekonomike”, tha ai.

Reçica tha se për të luftuar informalitetin në punë, janë në proces të krijimit të një softueri ku do të ngarkohen të gjitha kontratat.

“Risi tjetër është luftimi i informalitetit apo punës së padeklaruar. Jemi në proces të krijimit të një softueri të ri ku do ngarkohen të gjitha kontratat atje dhe do krijojnë lehtësi në zbatimin dhe monitorimin të vendpunishteve aty ku zhvillohet veprimtari punuese”, tha Reçica në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore.