Reduktimi i tarifave roaming me Kosovën nis nga 1 Korriku

Reduktimi i tarifave roaming me Kosovën nis nga 1 Korriku

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka nxjerrë për konsultim dokumentin publik për rregullimin e Tarifave të Shërbimeve Roaming Ndërkombëtar Shqipëri-Kosovë.

Nga 1 korriku i këtij viti, shtetasit e Shqipërisë dhe Kosovës do të fillojnë të flasin në celular me tarifa më të lira roamingu, kur ndodhen në shtetet e njëri-tjetrit dhe duke filluar nga korriku i vitit 2020 ose 2021 tarifat do të jenë njësoj si në shtëpi. Nga kjo pritet të përfitojnë sidomos shtetasit nga Kosova, që janë përdorues të mëdhenj të internetit kur vijnë në Shqipëri, ndërsa humbjet e operatorëve celularë në Shqipëri llogariten në rreth 150 mijë euro në vit.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka nxjerrë për konsultim dokumentin publik për rregullimin e Tarifave të Shërbimeve Roaming Ndërkombëtar Shqipëri-Kosovë.

Dokumenti është hartuar pasi më datë 26.11.2018 në mbledhjen e përbashkët të Qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, ministritë përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike të dy vendeve nënshkruan “Marrëveshje për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.   Ministritë përgjegjëse ranë dakord që zbatimi i regjimit të ri të fillojë gradualisht nga 15 Qershor 2019, sipas një plani dhe afateve të rëna dakord ndërmjet rregullatorëve.

Në lidhje me bazën ligjore të rregullimit të tarifave roaming marrëveshja parashikon që brenda datës 30 Mars të dy vendet të kenë marra masa për miratim të cdo ndryshimi ligjor për komunikimet elektronike që të mundësojë zbatimin e marrëveshjes nga rregullatorët e dy vendeve (AKEP për Shqipërinë dhe ARKEP për Kosovën).

Me qëllim fillimin e zbatimit të marrëveshjes AKEP ka bashkëpunuar me ARKEP për përgatitjen e këtij dokumenti si dhe kanë zhvilluar takime bilaterale dhe me operatorët celularë, përfshirë një takim të përbashkët midis Rregullatorëve dhe operatorëve celularë të dy vendeve, të zhvilluar në Prishtinë më datë 21.01.2019.