Presidenti Hashim Thaçi u kthye nga Franca ku qëndroi në manifestimin e shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, me katër fotografi dhe nj�" />
Putini kërkon ta barazojë Krimenë me Kosovën përmes referendumit për marrëveshjen me Serbinë

Referendumi i Thaçit, “kërkesë” e Putinit për ta njohur Kosovën

Propozimi i presidentit të vendit, Hashim Thaçi që marrëveshja finale me Serbinë të kalojë përmes referendumit në Kosovë, nuk është vetëm një ide e tij. Gazeta Insajderi, analizon sesi referendumin është kërkesë edhe e Vladimir Putinit. E ka thënë publikisht në tetor të këtij viti. Putini, ka lënë të nënkuptojë se nëse Kosova dëshiron pavarësi të njohur nga Rusia, ajo duhet të jetë rezultat i një referendumi, sikurse Krimeja

Referendumi i Thaçit, “kërkesë” e Putinit për ta njohur Kosovën

Presidenti Hashim Thaçi u kthye nga Franca ku qëndroi në manifestimin e shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, me katër fotografi dhe një mesazh me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Fotografitë e publikuara nga vet presidenti Thaçi e shpërfaqin atë dhe presidentin rus duke pozuar dhe bashkëbiseduar. E mesazhi i kësaj bisede, sipas presidentit kosovar ishte se Putin do të “mbështesë çfarëdo marrëveshje që e arrijnë Kosova dhe Serbia”.

Por “marrëveshja” e propozuar nga presidenti Thaçi, nuk ka gjetur mbështetje në Kosovë, përkundër joshjes me idenë e “aneksimit të Luginës së Preshevës me Kosovën” dhe mungesës së kërkesës së Serbisë në këmbim.  Por “korrigjimi i kufijve” siç propagandon presidenti, u kundërshtua edhe me një protestë popullore në Prishtinë.

Si shpëtim nga mungesa e një uniteti në politikën kosovare, presidenti ka nisur qysh në tetor të vitit të kaluar që të përmend, mbajtjen e një referendumi në Kosovë, ku marrëveshja finale e arritur mes Kosovës dhe Serbisë do të miratohej ose jo nga populli i Kosovës. Dhe nëse referendumi kalon, Serbia do ta njihte Kosovën, e kësisoj edhe Rusia, superfuqia në krah të Serbisë.

Fundi i dialogut do të shënojë arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të hedhet në referendum dhe se qytetarët e vendit do ta thonë fjalën e tyre”, kishte deklaruar Thaçi me 4 tetor të vitit të kaluar.

Këtë propozim që marrëveshja finale mes dy venedeve të marrë bekimin e popullit përmes referendumit, presidenti Thaçi e ka shpeshtuar në tre muajt e fundit, kur nisi të dalë nëpër emisione televizive dhe në konferenca për media.

Kosova ende nuk ka plotësuar legjislacionin e nevojshëm. Nuk e kemi të drejtën ende për të mbajtur referendum. Në një të ardhme të afërt do të shihet mundësia për ta bërë mundur që zëri i qytetarëve të shprehet përmes referendumit. Me marrëveshjen përfundimtare të merret vullneti i qytetarëve me referendum”, kishte deklaruar Thaçi para tre muajve.

Kushtetuta e Kosovës e ndalon organizimin e referendumit teksa mundësia e mbajtjes së tij, është përmendur edhe në Serbi. Por presidenti i Kosovës, çështjen e mbajtjes së referendumit për marrëveshjen finale mes dy vendeve e ka shpeshtuar dhe gati e ka zyrtarizuar, gjatë muajit tetor dhe nëntor.

E pikërisht në këtë kohë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e ka përmendur referendumin teksa ka folur për “Pavarësinë e Kosovës”. Qëndrimi tradicional i Rusisë për Kosovën që nga viti 1999 kur ka ndodhur ndërhyrje ndërkombëtare në Kosovë, ka qenë se “Kosova është pjesë e Serbisë dhe se Rusia respekton territorin e Serbisë”. Më vonë, kur procesi i dialogut mes dy vendeve filloi, Rusia dhe presidenti Putin kanë përkrahur “vetëm një marrëveshje të cilën e përkrahë Serbia”, në të njejtën kohë që Serbia e ka në Kushtetutën e saj, “Kosovën si pjesë të Serbisë”.

Por në një sesion plenar të mbajtur në Sochi të Rusisë me 18 tetor të këtij viti, në kuadër të “Valdai Discussion Club” presidenti Vladimir Putin, ka folur për Kosovën në një mënyrë që asnjëherë më parë nuk ka dhënë qëndrim.

Teksa ka folur për Krimenë, një vendbanim me shumicë ruse në Ukrainë që është aneksuar si pjesë e Rusisë, Putin ka përmendur “mungesën e një referendumi” në Kosovë si arsye kryesore pse Rusia nuk e njeh vullnetin e popullit të Kosovës, për pavarësi, që është shpallur me 17 shkurt 2008.

Sipas Putinit, Krimeja dhe Kosova nuk janë të njejta pasi në Krime aneksimi i saj në Rusi është bërë përmes vullnetit të popullit.

Krimeja është toka jonë. Nuk kemi shkuar askund. Pse është toka jonë? Jo sepse shkuam atje dhe e morëm atë. Edhe nëse dikush vendos të flasë me mua, mosmarrëveshja do të qojë në një fund të vdekur. Të gjithë jemi në demokraci, apo jo. Cka është demokracia? Demokracia është fuqia e popullit. Si ushtrohet kjo fuqi e popullit? Ajo ushtrohet nëpërmjet referendumeve, zgjedhjeve dhe kështu me radhë. Njerëzit dolën në referendum në Krime dhe votuan për pavarësi, së pari, e më pas për t’u bërë pjesë e Rusisë”, thotë Putin në këtë sesion.

Më pas vazhdon të flas për Kosovën.

Më lejoni që t’ua kujtojë për herë të njëqindtën herë se nuk ka pasur referendum në Kosovë, vetëm parlamenti ka votuar për pavarësi, kjo ishte e gjitha. Gjithkush që dëshironte ta mbështesë dhe ta shkatërrojë ish-Jugosllavinë tha: mirë, falemnderit Zotit, ne jemi mirë me këtë. Këtu (Krimeja v.j), ata nuk pajtohen. Në rregull atëherë, le të diskutojmë, të shikojmë tek dokumentetet e OKB-së, të shohim se çfarë thot Karta e OKB-së ku flet për të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Ky do të jetë një diskutim i pafund. Sidoqoftë, ne vazhduam duke u bazuar në vullnetin e njerëzve që jetojnë në atë territor”, thotë Putin, raporton Insajderi.

Pikërisht në këtë fjali, Putin bëhet edhe më kontradiktor, pasi për vite të tëra ka pasur qasje krejtësisht ndryshe rreth rastit të Krimesë dhe Kosovës.

Në vitin 2014, Vladimir Putin, që atë kohë ishte kryeministër i Serbisë, i kishte krahasuar aneksimin e Krimesë me rastin e Kosovës, duke i thënë Perëndimit që kishte njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Në një situatë të njejtë me atë të Krimësë, ata perendimi e njohur shkëputjen e Kosovës nga Serbia si diçka legjitime, duke argumentuar se nuk është i nevojshëm autoriteti qendror i një vendi për shpalljen e pavarësisë”, kishte deklaruar Putin në mars të vitit 2014.

Hashim Thaçi që në atë vit ishte gjithashtu kryeministër i Kosovës, i ishte përgjigjur Putinit duke thënë se Kosova nuk është aspak si Krimea.

Kosova nuk është si Krimea. është një rast unik. Unë mendoj se çasja për ndryshim për kufijve dhe shkëputje të pjesëe nga një vend tjetër është një çasje e gabuar dhe që mund të ketë pasoja për krejt botën”, kishte reaguar Thaçi në një intervistë për mediat ndërkombëtare.

Në ndërkohë Thaçi nuk është se ka folur diçka të re rreth rastit të Krimesë, megjithatë ndryshime të tilla të deklaratave të Putinit, tregojnë për një situatë të re të krijuar për rastin e Kosovës dhe Serbisë.

Sipas këtyre deklaratave të Putinit, del se Kosova do të duhet ta mbajë një referendum të cilin e ka propozuar edhe Hashim Thaçi në mënyrë që të procedojë tutje si “njohje e vullnetit të popullit që jeton në këtë territor”, rrjedhimisht kufijve të rinj që do ta determinojnë shtetësinë e re të Kosovës dhe të Serbisë.

Insajderi ka dërguar pyetje tek Zyra e Presidentit të Kosovës për të kërkuar komentimin e ndryshimit të këtij qëndrimi rus./Insajderi.com