Refugjatja shqiptare vdes nga zjarri në qendrën e azilit në Gjermani

Fjala është për një grua me handikap ndërsa e gjithë qendra e azilit këtu është e banuar me azilkërkues me nevoja të veçanta

Refugjatja shqiptare vdes nga zjarri në qendrën e azilit në Gjermani

Një refugjate shqiptare 28 vjeçe ka humbur jetën nga zjarri në shtëpinë e azilit në Gjermani. Në strehimoren qendrore për refugjatë në Clemensheim të Bad Driburg-ut, në pasditen e të premtes, rreth orës 16 e 30 ka shpërthyer një zjarr në katin e dytë të ndërtesës.

Këtu ka gjetur vdekjen shqiptarja ndërsa një grua tjetër ka pësuar lëndime të lehta, shkruan tag24.de. Fjala është për një grua me handikap ndërsa e gjithë qendra e azilit këtu është e banuar me azilkërkues me nevoja të veçanta.

Sipas zjarrfikësve, personi që ka pësuar lëndime ka qenë një e punësuar e sigurimit aty, i cili ka provuar të ndihmojë banorët, njofton albinfo.ch.

Ajo është bartur në spital pasi që ka rënë në kontakt me gazin helmues të liruar nga zjarri.

Mbi 100 persona të ekipeve shpëtimtare janë mobilizuar me këtë rast. Kur ata kanë arritur në vendin e ngjarjes, retë e tymit shiheshin tashmë nga larg. Ndërtesa është evakuuar ndërsa banorët janë vendosur në sallën e sporteve.

Ende nuk dihet shkaktari i zjarrit ndërsa hetimet po zhvillohen në atë drejtim.(albinfo.ch)