Refuzimi i vizave amerikane – Lista përfshinë diktatore e prishës të interesave amerikane

Diktatorë ekstremistë, shkelës të të drejtave të njeriut, janë profilet e liderëve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia refuzuan vizën. Nga lideri i Iranit, tek ai i Republikës serbe të Bosnjës, kësaj liste pritet t'i bashkohet edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Refuzimi i vizave amerikane – Lista përfshinë diktatore e prishës të interesave amerikane

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është në pritje të një përgjigje nga ambasada e Amerikës për marrjen e vizës, për lutjet e mëngjesit që organizon Komiteti Pritës i Kongresit amerikan më 4 shkurt.

Mirëpo nuk është vetëm kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ka probleme me vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, (ShBA).

Që nga administrata e Ronald Reagan e deri në administratën e fundit të presidentit aktual, Donald Trump ka një listë me persona të liderëve botëror të cilëve iu është refuzuar viza.

Shembulli më i famshëm për tu mbajtur mend është ndalesa e udhëheqësit të Organizatës së Çlirimit Palestinez, Yasser Arafat, në vitin 1988. Shtëpia e Bardhë e konsideronte Arafatin si një nga njerëzit më të dyshuar i cili kritikohej për stilin e tij udhëheqës. Andaj atij iu kishte ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Po ashtu edhe administrata e Xhorxh W. Bush ia kishte mohuar vizën presidentit të atëhershëm të Iranit, Mahmoud Ahmedinejad, për një vizitë në New York.

E me zyrtarë iranian Shtëpia e Bardh kishte probleme edhe gjatë vitit 2012 ku presidenti i atëhershëm, Barck Obama ia kishte ndaluar hyrjen 20 zyrtarëve iranian për shkak të përfshirjes së Iranit në krizën e pengjeve në Tehran gjatë vitit 1979.

Po ashtu edhe kreut indian, Narendra Modi, iu kishte mohuar viza amerikane për nëntë vite për shkak të dyshimeve rreth qëndrimit të tij në trazirat anti-myslimanë në shtetin e Gujarat në vitin 2002.

E një ndalesë të tillë e kishte pasur edhe lideri i Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik.

Ambasada Amerikane në Bosnjë dhe Hercegovinë ia ka refuzuar vizën liderit të Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik, pas ftesës që mori nga presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, për të qenë i pranishëm në inaugurimin e tij si president.

Balkan Newsbeat, Dodik i kishte thënë televizionit RTRS të Bosnjës “se atij i është refuzuar viza, nën preteksin se asnjë lider i Bosnjë dhe Hercegovinës nuk do ta reprezentonte vendin në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Trump”.

Presidenti Obama kishte përdorur gjithashtu ndalesa për viza ndaj bashkëpunëtorëve të ngushtë të Vladimir Putinit si pjesë e dënimit të SHBA-së për agresionin në rritje të Rusisë në Ukrainë.

Një fat të tillë e ka përcjell edhe kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj, gjatë ditës së djeshme është raportuar se Haradinajt i  është refuzuar viza amerikane.

Mirëpo këtë kryeministri e ka mohuar duke thënë se është në pritje të marrjes së vizës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka krahasuar pritjen e marrjes së vizës me ndihëm kur Amerika dhe NATO kanë ndihmuar Kosovën në luftën e fundit.

“Më 24 mars ‘98 kemi pasur momente jete apo vdekje. Kështu ka vazhduar deri më 24 mars ‘99, kur Amerika dhe NATO na dolen në ndihmë. Kurrë nuk do ta harroj. Momente të vështira pritje deri më 24 mars ‘99. Pres edhe për vizë deri kur të ma japin”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka shkruar se “I besoj Kosovës! I besoj Amerikës!  Jam ende në procedurë për vizë”.

E në ndihmë kryeministrit i ka dal edhe bashkëshortja e tij Anita Haradinaj e cila përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se mediat kosovare janë bërë si ato serbe.

“Qy qy Kryeministrit me dy pasaporta me iu refuzu visa, kur po doni po thoni Ti lehte e ke për viza, kur po doni po thoni iu refuzu, bravo bre si Tanjugu jeni bo hajde gazetari hajde”, ka shkruar Anita Haradinaj.

Çifti Haradinaj është ftuar për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Lutjeve të Mëngjesit të cilat i bën Komiteti Pritës i Kongresit amerikan, më 4 shkurt. Lutjet fillojnë në orën 7 e 30 të mëngjesit.

Insajderi të mërkurën e kaluar ka publikuar hulumtimin për pushimet e kryeministrit Haradinaj në një ndër vendet më të shtrenjta në botë, Sant Moritz, të Zvicrës.

Pushimet familjare të Haradinajt kanë zgjatur nëntë ditë. Suita “Czar” prej 160 metrash katror, në kohën e ndërrimit të viteve ka arritur çmimin mbi 5 mijë franga për një natë.

Një darkë natën e vitit të ri në këtë holet ka kushtuar një mijë e 50 franga. Nuk dihet saktësisht se sa ka paguar Haradinaj, por bazuar në çmimet publike të hotelit, del se pushimet e kryeministrit mund të kenë kushtuar mbi 80 mijë franga. /Insajderi.com