Refuzues ndaj Mustafës, mikpritës i Haradinajt – Loja e dyfishtë e Shpend Ahmetit me kryeministrat

Refuzues ndaj Mustafës, mikpritës i Haradinajt – Loja e dyfishtë e Shpend Ahmetit me kryeministrat

Kryetari i Komunës së Prishtinës ka dy pozicione krejtësisht të kundërta ndaj dy kryeministrave të fundit të Kosovës. Me kryeministrin aktual Ramush Haradinajn, Ahmeti është mikpritës, ndërsa ndaj ish-kryeministrit Isa Mustafa, ai kishte punë vetëm përmes dosjeve të dërguara në Prokurori kundër kryetarit të LDK-së, raporton Insajderi.

Shpend Ahmeti së fundmi është zgjedhur kryetar i Partisë Socialdemokrat, pas dorëheqjes nga Lëvizja Vetëvendosje, partisë së cilës iu bashkuan edhe 12 ish-deputetët e VV-së si dhe anëtarët e tjerë të pakënaqur në këtë subjekt politik.

Por Ahmeti nuk ka ndërruar vetëm partinë. Ai ka ndërruar edhe qëndrimin e tij ndaj kryeministrit ashtu siç në këtë pozitë është zgjedhur dikush tjerë.

Ahmeti ishte përballur në një garë tejet të ngushtë për kryetar të Prishtinës në vitin 2013 me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa. Ai kishte mposhtur Mustafën vetëm në balotazh për të fituar mandatin e të parit të kryeqytetit.

Ndër punët e para të Ahmetit si kryetar i Prishtinës, kishte qenë deponimi në Prokurori dosjet kundër, Isa Mustafës të cilat sipas tij kanë të bëjnë me keqmenaxhimin e Komunës së Prishtinës gjatë kohës sa ishte udhëhequr nga LDK.

Madje në Lëvizjen Vetëvendosje me të cilën Ahmeti kishte fituar dy mandate të udhëhiqte me Prishtinën, ishte cilësuar si puna e tij më e mirë në  kryeqytet.

Albulena Haxhiu deputete e Vetëvendosjes kishte thënë për Insajderin se me dosjet e deponuara në prokurori ishte njëra ndër punët më të mira në komunën e Prishtinës,

“Njëra ndër punët më të mira në Komunën e Prishtinës është ndalja dhe luftimi i korrupsionit. Me dosjet e deponuara në prokurori merret drejtësia madje ne presim një angazhim dhe seriozitet të prokurorisë në këtë drejtim në mënyrë që gjithë ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare të marrin përgjegjësinë penale”, kishte thënë Haxhiu.

VV: Dosjet ndaj Mustafës njëra ndër punët më të mira në komunën e Prishtinës

Që nga ajo kohë LDK-në dhe subjektin politik që i takonte Ahmeti i kishte ndarë pikërisht kjo çështje. Në zgjedhjet e fundit nacionale LDK bëri të qartë se nuk do të futej me VV-në në koalicion pa i sqaruar dosjet e deponuara nga Ahmeti kundër Mustafës.

Por derisa raportet e tilla janë mes Ahmetit dhe ish-kryeministrit, i pari i PSD-së ka marrëdhënie krejt tjera me kryeministrin aktual të Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan Insajderi.

Madje Ahmeti nuk kishte nguruar as të shkoi në Francë për ta takuar Haradinajn, i cili po qëndronte atje në arrest shtëpiak për shkak të urdhërarrestit të lëshuar nga Serbia.

Ahmetin dhe Haradinajn nuk i kishte bërë bashkë vetëm fletëarresti i Serbisë. Ata ishin bashkuar edhe për të kaluar kohën së bashku, në një sofër të mbushur me mish dhe me muzikë.

Ndërkaq pas zgjedhjes së Haradinajt kryeministër takimet mes Ahmetit dhe tij kishin kaluar në një nivel tjetër. Ahmeti kishte zhvilluar takim të mbyllur në fillim të këtij viti me kryeministrin për të diskutuar rreth Pallatit të Rinisë si dhe për projekte të tjera.

Por në takim kishte qenë edhe një pjesë tjetër e qeverisë. Kujtim Gashi, Vladrin Lluka, Arbena Reshitaj dhe Shyqyri Bytyqi ishin vetëm disa nga ministrat që kishin marrë pjesë në takim me Ahmetin.

Takimet mes Ahmetit dhe ministrave të Qeverisë Haradinaj vazhduan edhe më pas. Ahmeti në fund të muajit të kaluar u takua me ministrin e Shëndetësisë nga PDK, Uran Ismaili. Në atë takim u tha se u diskutua për Spitalin e Prishtinës.

“Prishtina ka nevojë për një spital të qytetit. Projekti dhe realizimi i tij ka vite që është zvarritur duke lënë prishtinasit pa shërbime të merituara shëndetësore. Kur kam ardhur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, një nga prioritet e mia ka qenë ndërtimi i këtij spitali”, kishte thënë Ismaili pas takimit./Insajderi.com