Gjendja me COVID-19 në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit është rënduar shumë, njofton Insajderi.
Aktualisht aty janë duke u trajtuar 113 pacientë, 78 prej të cilëve janë të konfirmuar me virusin COVID-19.
Drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, Ukshin Ismaili, ka thënë se ky është numri më i lartë i pacientëve që nga fillimi i pandemisë.
“Situata është tejet e rënduar dhe për brengosje në Spitalin e Përgjithshëm. Për momentin i kemi 113 pacientë të hospitalizuar, ku prej tyre 78 janë COVID-pozitiv dhe që të gjithë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi”, ka thënë Ismaili për Mediafokus.info.
“Mesazhi im dhe i të gjithë kolegëve sipas OBSH, IKSHPK dhe MSh është: maska, distanca, higjienë personale dhe mos grumbullim”, ka thënë Ismaili.
Ndryshe, të premten në Spitalin e Përgjithshëm të kësaj komune kanë ndërruar jetë katër pacientë, të cilët ishin të konfirmuar me COVID-19. /Insajderi.com