Rëndohet situata nga koronavirusi – shkon në 10 numri i të vdekurve në Itali

Rëndohet situata nga koronavirusi – shkon në 10 numri i të vdekurve në Itali

Përhapja e koronavirusit në Itali, nuk ndalet. 10 janë të vdekurit, 322 të infektuarit në vendin fqinj, nga të cilët pjesa dërrmuese në Lombardi. Po nga ky rajon ishte dhe turistja që rezultoi pozitive në Sicili, rasti i parë në jug të Romës.

Tre të moshuar kanë vdekur gjatë orëve të fundit. Giuseppe Conte u shfaq megjithatë disi më optimist në daljen e fundit: jam I bindur se në ditët në vijim, do të arrijmë ta frenojmë përhapjen e sëmundjes, u shpreh ai. Pak pas deklaratës së kryeministri, një 72 vjecar u konfirmua me koronavirus në Liguria. Kreu i rajonit Lombard, Attilio Fontana, u përpoq megjithatë ta minimizonte rëndesën e situatës, duke pranuar se gjendja është e vështirë megjithatë jo aq e rrezikshme sa thuhet.

Sipas tij, virusi është shumë agresiv në përhapje, por më pak në pasoja dhe duhet trajtuar pak a shumë, si një grip normal. Kësaj linje i qëndron dhe ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn. Por virologu Alexander Kukele tha për Deutschlandfunk, se Spahn është duke e nënvlerësuar rrezikun e koronavirusit.

“Nëse vdekshmëria tek gripi është 0,1% në rastet e Covid 19 është më e lartë, 0,5-1,5%. Kjo do të thotë, se për ata që infektohen, virusi është 10 herë më i rrezikshëm”, deklaroi Kukele, duke kujtuar se koronavirusi i ri mund të jetë vdekjeprurës jo vetëm për pleqtë, si në rastin e gripit, por edhe për personat e moshave të tjera.