Rënia e Qeverisë në 42 fjalime: Akuzat si mëlmesa të jashtëzakonshme politike

Seanca e fundit e kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës nisi me një qëllim: rrëzimin e Qeverisë. Kjo u arrit me ndihmën e deputetëve të PDK-së, partisë në koalicion qeverisës me LDK-në. Por para se të votohet rrëzimi i Qeverisë folën 47 përfaqësues, shumë prej të cilëve thanë akuza të rënda për të cilat nuk folën këto 3 vite e gjysmë

Rënia e Qeverisë në 42 fjalime: Akuzat si mëlmesa të jashtëzakonshme politike

Personi që gjatë këtyre katër muajve nuk u pa shpesh tek kryente detyrën e tij si kryetar i Kuvendit, e drejtoi me pak komente seancën në të cilën Qeveria e Kosovës iu nënshtrua një mocioni mosbesimi por shumë kolegë të tij vendosen të flasin, madje disa për herë të parë pas 3 vitesh mandat të këtij Kuvendi.

Kadri Veseli kësisoj e nisi seancën në të cilën në fund të saj u votua mocioni i mosbesimit për Qeverinë e drejtuar nga partneri i tij i deritashëm, Isa Mustafa.

Por deri në atë pikë, koalicioni i shkatërrua nga 42 fjalimet e deputetëve dhe përfaqësuesve të Qeverisë të cilët akuzuan me të madhe njëri tjetrin.

Deputetët e PDK-së akuzuan LDK-në. Ata të LDK-së akuzuan  PDK-në dhe opozitën. E opozita akuzoi të dyja partitë, teksa cikli i akuzave dhe kundër akuzave u zgjat deri në një pikë ku akuzat përfunduan deri në atë pikë sa u akuzua se kush është dyshimtar në Gjykatën Speciale.

E para e nisi Valdete Bajrami, nga NISMA që lexoi mocionin për mosbesimin e Qeverisë, për t’u ndjekur nga i pari i Qeverisë, Isa Mustafa që akuzoi fillimisht opozitën se arsyeja e vetme për këtë mocion është marrja e pushtetit.

Tone jo edhe aq të ashpra mes partnerëve të koalicionit vazhdoi edhe pasi fjalën e morën kryetarët e grupeve parlamentare, ani pse kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti tha se deputetët duhet të votojnë me “vullnetin e popullit”.

Kjo nuk i pëlqeu kryetarit të grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri i cili megjithatë nuk u tregua i ashpër ndaj PDK-së sikurse më vonë.

I ashpër ndaj të dyja këtyre partive ishin Glauk Konjufca, shef i grupit të VV-së, Pal Lekaj nga AAK-ja dhe Enever Hoti nga NISMA.

Danush Ademi deputet që përfaqësonte komunitetin RAE në Kuvend e theu akullin duke treguar një detaj: kishte votuar tri herë pro mocioneve për mosbesim të Qeverisë gjatë karrierës së tij si deputet.

Muhamet Mustafa nga LDK-ja lavdëroi shefin e vet Mustafën teksa Melihate Tërmkolli nga e njëjta parti u bë shkak për një lapsus të radhës së Kadri Veseli i cili me të përmendur mbiemrin e Tërmkollit shkaktoi të qeshura tek deputet.

“Tërmkolli, thash”, reagoj Veseli me tonalitet që tregonte se “nuk ishte koha për të qeshura”.

10-ja e deputeteve të parë u përmbyll në këtë mënyrë teksa debati filloi të mbushej me tone akuzuese kur folësja e 11-të mori fjalën.

Deputetja nga Peja, Besa Gaxherri filloi me disa akuza të lehta ndaj partnerit në ikje PDK-së. Njejtë foli edhe kolegu i saj partiak që rrallë herë ka folur në Kuvend, Murat Hoxha.

Deputeti kontrovers me pikëpamje radikale Gëzim Kelmendi ishte folësi i 13-të por fjalimi i tij u zbeh pas pasfolësi i tij, Fatmir Limaj, kryetari i partisë që kishte nisur mocionin e mosbesimit.

Limaj bëri akuza të ashpra ndaj të dy partive të koalicionit PDK-LDK por u përball me një pyetje provokuese nga ministrja e LDK-së, Hikmete Bajrami që foli menjëherë pas Limajt.

Bajrami e akuzoi Limajn për “krijimin e monopolit me Qendrën e Homologimit” sa ishte ai ministër në Qeverinë e Thaçit që tash është president, teksa Limaj nuk iu kundërpërgjigj në Kuvend por e ftoi për një debat televiziv.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes që tashmë ka krijuar partinë “Alternativa”, Ilir Deda, duket sikur e vërejti i pari se debati parlamentar po shkonte në një pafundësi fjalimesh me akuza për njëri tjetrin, dhe kërkoi që liderët e partive parlamentare të ulen e ta caktojnë datën e zgjedhjeve.

“Kësisoj shpëtojmë me fytyrë të bardhë”, tha Deda.

Por kjo nuk u mor parasysh. Fill pas Dedës fjalën e mori folësi  17-të Sadri Ferati që akuzoi PDK-në për tradhti e kolegu i tij Anton Çuni shkoi edhe më larg: tha se arsyeja e qëndrimit të tij në politikë ishin pikërisht Kadri Veseli e Hashim Thaçi.

“Ju po më detyroni të qëndroj këtu deri sa të ju shoh juve prapa grilave. Ju aty e keni vendin”, tha Çuni i cili akuzoi PDK-në si “autore të këtij mocioni mosbesimi”.

Veseli nuk iu kundërpërgjigj këtyre akuzave të rënda duke u arsyetuar se nuk e ka kuptuar Çunin.

“Valla s’di a fole si profet a si hero, s’të mora vesh kurgjo”, tha Veseli, teksa ia dha fjalën deputetit të LDK-së nga Podujeve, Agim Kikajt.

Kikaj i pasur nga kolegu i tij Armend Zemaj e Arben Gashi vazhduan gjuhën akuzuese ndaj PDK-së por edhe ndaj AAK-së dhe NISMA-s si “partnere të ardhshme të PDK-së” teksa fjalën e rimori përsëri shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti.

Pajaziti e mbrojti Veselin duke akuzuar deputetët e LDK-së që akuzojnë liderin e tij duke ia përkujtuar të kaluarën.

Seanca në të cilën deri në këtë pikë folën 22 deputetë, u bë interesante kur një kundërshtuese e madhe e koalicionit PDK-LDK, Vjosa Osmani mori fjalën.

Ajo, edhe pse një akuzuese e madhe e kryetarit të partisë së saj, Isa Mustafa, e akuzoi PDK-në si asnjëherë më parë.

Fillimisht bëri një lapsus kur përmendi një fjalë të urtë popullore. Tha se “ujku qimen e ndërron por zanatin nuk e ndërron” në vend se të thoshte se “zanatin nuk e harron”.  Por më pas akuzoi rëndë PDK-në.

“Kjo qasje e PDK-së nuk është e re, njëjtë sikur në të kaluarën, kjo parti keqpërdor marrëveshjet për me të gjithë partnerë pa përjashtim. E ka në gjen të saj, në ADN-në e saj”, tha Osmani, teksa i la vend deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj të akuzoj të dy partitë e koalicionin se nuk po mund ta durojnë njëra-tjetrën.

E pas kësaj debati degradoi edhe në fjalime të deputetëve të tjerë që lëshuan akuza turli fare sikurse folsi i 25-të Zafir Berisha për ti lënë radhën deputetit të PDK-së Hajdar Beqa që akuzoi LDK-në.

Deputeti që para disa muajsh “zbuloi fisin Kalash në Afganistan si fis me prejardhje ilire”, Adem Salihaj përdori foltoren për të akuzuar PDK-në teksa ish-deputetja e AAK-së, tash në partinë Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi e cila i “paralajmëroj partitë e koalicionit se do ta paguajnë faturën e dështimit të qeverisjes së tyre”.

I 29-i në rend ishte deputeti Shaip Muja që përsëriti qëndrimet e tija të shprehura muaj më parë kundër qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa teksa deputetet e LDK-së Doruntinë Maloku dhe Njomza Emini akuzuan PDK-në për “lojë të pistë kundër partisë së tyre”.

Seanca po bëhej e mërzitshme me akuza të njëjta që përsëriteshin nga deputetë të ndryshëm të partive të ndryshme, sikurse Ismajl Kurteshi nga VV-ja, Qerim Bajrami  nga radhët e komuniteteve pakicë, Bislim Zogaj e Shukri Buja nga PDK-ja e Blerim Grainca nga LDK-ja.

Koha ishte për fjalimin e 38-të dhe për akuza të reja.

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu fillimisht akuzoi deputetët e LDK-së, Anton Çuni dhe Adem Salihaj si bashkëpunëtor të Gjykatës Speciale, se cilës sipas LDK-së, i frikohet shumë PDK-ja.

Para se Çuni dhe Salihaj ta kundërshtonin këtë informacion që Musliu tha ta ketë marrë nga “një deputet i LDK-së”, duke përmbyllur listën e 40-të të fjalimeve , deputetja Musliu tha edhe një fjali që shkaktoi të qeshura.

“Unë po e them se po më vjen mirë se sot po e përfundoj m’doket me atë fjalën: mirë knej, mirë anej”, tha Musliu.

Kjo thënie e Musliut i shkoi për shtati kryetari të NISMA-s, Fatmir Limaj i cili mori fjalën për së treti herë duke kërkuar që deputetët të votojnë rrëzimin e Qeverisë, por nuk ishte mirë hiq për Isa Mustafën i cili ishte i fundit që iu drejtua deputetëve.

Fjalimi i tij tregonte atë që dihej qysh në fillim të seancës: se Qeveria e tij po binte dhe këtë nuk mund ta ndalonte.

Kësisoj, bashkë me akuzat që nisën haptazi mes të gjithëve në seancë ra edhe Qeveria e bashkë me të nisi edhe fushata drejt zgjedhjeve të parakohshme që duket se do të jetë e nxehtë dhe do të zbulojë akuza të reja mes të gjitha partive politike./Insajderi.com