fbpx

Republika e shenjtorëve të rremë

Shkruan: Arben Fetoshi, profesor universitar

Republika e shenjtorëve të rremë

E vërteta dhemb, por ajo është kokëfortë dhe nuk bën kompromise. Është e kundërta e gjithë këtyre mëkatarëve të veshur si shenjtorë, të cilët e kanë perfeksionuar artin e mashtrimit të qytetarëve. Ka shumë kohë që me kolegë diskutojmë për degradimin moral të shoqërisë sonë, duke evidentuar faktorë të ndryshëm kulturorë, ekonomikë e teknologjikë, si shkaktarë realë, dhe duke debatuar papajtueshëm për politikën si fajtori kryesor i një republike të pashpresë e cinike për njerëzit e vet.

A janë politikanët një produkt që reflekton shoqërinë, apo një grup proviniencash të ndryshme të cilin e bashkon abuzimi me besimin e qytetarëve për interesa meskine, është temë për një analizë më të thellë socio-kulturore të kontekstit kosovar, por se çka po ndodh aktualisht në sferën publike dhe cila është e vërteta e shenjtorëve të politikës, më së miri vërehet gjatë fushatës zgjedhore si faza më intensive e komunikimit politik.

1. Koalicionet

E vërteta e parë, e hidhur padyshim për shumë kë, është komunikimi manipulativ, mashtrues dhe i pandershëm i subjekteve politike me publikun edhe kësaj radhe. Mediat po dëshmojnë atë që Brian McNair e ka konstatuar më 2006 se “tani, mediat janë politika dhe politika janë mediat”. Kjo shkrirje, gjithsesi në dëm të publikut, veç sa e ka rritur rolin instrumental të mediave si “amplifikatorë dhe altoparlantë të interesave pushtetore të partive dhe politikanëve” (S. Mohl, “Gazetaria”).

Debatet televizive me politikanë dhe opinionistë dizajnohen në funksion të këtij mashtrimi, për sa kohë që i komentojnë, madje shpesh duke ngritur zërin me idenë e forcimit të argumentit, koalicionet dhe tentim-koalicionet si vlera demokratike të këtyre partive. Nëse demokratike janë, pasi ato kanë të drejt të bëjnë marrëveshje, madje edhe të bashkohen kundër një partie tjetër, s’mund të jenë edhe vlera ndërsa kalkulojnë vetëm sigurimin e fitores dhe shesin moral prej shpëtimtari.

AAK-ja dhe PSD-ja lidhën të parat koalicion parazgjedhor, ani pse e dyta s’ka lënë gjë të zezë pa thënë për Qeverinë Haradinaj. E, kulmi i ironisë, kur të dyja deklarohen pa “u penguar” në media si koalicion fitues. Pra, një parti që ka qeverisur e që asnjëherë s’ka marrë më shumë se 8-9 për qind të votave dhe një parti opozitare që ende s’është testuar në zgjedhje dhe akuzonte të parën për keqqeverisje, “bombardojnë” qytetarët me mesazhin e fitores. Ndërkohë, media si e mirë publike, nuk “ndërhyn” pothuajse fare me obligimet sqaruese për sa i përket kujtesës, aspektit etik apo çështjeve ideologjike dhe programore të koalicionit të një të djathtë me një të majtë. Hipokrizia vazhdon edhe me koalicionin e dytë.

Nisma Socialdemokrate e qendrës së majtë, e cila s’ka marrë asnjëherë më shumë se 5 për qind të votave dhe AKR-ja e qendrës së djathtë, e cila në zgjedhjet e fundit kishte hyrë në listën e LDK-së, deklarojnë po ashtu pa u skuqur dhe pa u penguar se do të jenë koalicion fitues. Që të dyja koalicionet kanë shpallur kandidatët e tyre për kryeministër, ani pse i pari vazhdon ta ftojë të dytin t’i bashkohet kurse ndaj të “mëdhenjve” është mbyllur, pavarësisht se njëri prej tyre (PDK) e kishte bërë kryeministër dy vjet më parë dhe ani pse të dy bashkë s’bëjnë më shumë se 14-15 për qind të votave. Prandaj, lëvizjet e tilla dhe ky lloj komunikimi i palogjikshëm, s’janë vetëm strategji manipulimi e mashtrimi, por edhe janë fyese e pa përmbajtje në pikëpamje të ofertës për qytetarët.

Rasti i tretë është edhe më eklatant sa i përket tentim- mashtrimit tentim-koalicioni mes LDK-së dhe VV-së. Dy parti të mëdha të opozitës, me orientime diametralisht të kundërta ideologjike dhe histori tejet të armiqësuar të raporteve ndërmjet tyre, vazhdojnë deri në minutën e fundit me lojën e koalicionit parazgjedhor në emër të “shpëtimit” të Kosovës nga PDK-ja. Pra, ata që ishin të papajtueshëm në lidhje me të ardhmen e Kosovës, e kanë sot luksin e studiove dhe të hapësirës televizive që të mbajnë ders rreth nevojës së koalicionit për shpëtimin e Kosovës.

Partia “shtetformuese dhe institucionale” kërkon ta shpëtojë Kosovën nga ish-partneri i saj qeverisës, përmes një koalicioni parazgjedhor me partinë “rrënuese e mohuese” të Republikës së Kosovës. A nuk e quante kështu dhe a nuk e akuzonte si një lëvizje leniniste e trockiste? Mund të thuhet edhe që paska reflektuar ndërkohë, por e vërteta e diskursit manipulativ ka edhe pyetje të tjera.

Çka ka ndodhur pas vitit 2014 që e bën Kadri Veselin dhe PDK-në më të papranueshëm, më fatal për Kosovën? Ai ishte i pranueshëm kur bashkë me Hasim Thaçin e bënë Isa Mustafën kryeministër, kurse tani qenka bërë i papranueshëm, një super djall që e rrezikon Kosovën. Dhe, nëse, deri këtu po mendoni se ky tekst është në mbrojtje të Kadri Veselit, atëherë mos vazhdoni më tutje se nuk ia vlen. Sepse, pandershmëria është këmbëkryq edhe në anën tjetër.

VV-ja ka kohë që insiston për koalicion parazgjedhor me partinë e “argatit të Serbisë”, të atij që e akuzonte për faljen e 8 mijë hektarëve Malit të Zi, partinë bashkëpërgjegjëse për sa i përket keqqeverisjes dhe krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë. Njëjtë si LDK-ja, por me dallimin që nuk e ka ndërruar qëndrimin për hir të pushtetit, PDK-së ia ka vënë kryqin e mëkatarit për të gjitha të ligat në Kosovë. Kjo edhe qëndron, PDK-ja ka mëkate, ka plot dështime, por jo si e vetme – e vërteta nuk është bardh e zi.

Si oponent politik edhe ke të drejt të mos ia njohësh asnjë punë, por si të shpjegohet gatishmëria për t’u bashkuar me “argatin e Serbisë”. Ose, ta zëmë që bëhet fjalë për taktizim të Albin Kurtit që ta parandalojë ndonjë bashkim eventual të LDK-së me ndonjë subjekt tjetër, por a nuk e bën kjo të dyshimtë moralin politik të VV-së me të cilën ajo është krenuar vazhdimisht? Pra, a nuk e demaskon kjo oportunizmin e VV-së dhe a nuk e lëndon rëndë “shpresën” e njerëzve të pashpresë? Një qasje e tillë vetëm parimore s’është, edhe pse jam i vetëdijshëm se njerëzit parimor e të ndershëm janë specie në zhdukje, për fat të keq.

Nuk është me rëndësi kush fiton e kush humb më 6 tetor, sepse qytetarët janë sovrani dhe vullneti i tyre është suprem, por është shumë me rëndësi forcimi i demokracisë dhe konsolidimi i republikës, e kjo s’mund të bëhet pa komunikim të hapur e të shëndoshë dhe pa diskurs politik konkurrues e parimor. Çka t’i thuhej LDK-së së 2014-s që gjithë fushatën e pati bazuar në diskurs anti-SHIK dhe pikërisht prej atyre e pati marrë qeverinë? Shumëkush do të përgjigjej duke thënë se kështu e ka politika, se ajo është kurvë dhe e ndyrë. Apo, ndoshta të tillë po vazhdojnë ta bëjnë politikanët me gëzof shenjtori!?

2. Aderimet

Maskarada politike e zgjedhjeve, pra jo vetëm e këtyre të fundit, ka edhe një të vërtetë të dytë të mashtrimit dhe manipulimit: aderimet dhe kalimet nga një parti në tjetrën. Derisa të parët edhe mund të duken të arsyeshme, se njerëz jemi dhe kemi nevojë për pak pushtet e për ca lekë, pra në suazat e profiterëve me ambicie apo të porositur, të dytët si të arsyetohen, si të mos quhen të neveritshëm, matrapazë e mashtrues ordinerë?

Nuk dëshiroj të jem brutal e të mos i dalloj ata që ndërrojnë partinë për shkak të zhgënjimit, pranimit të gabimit dhe riangazhimit në politikë, por vetëm me kushtin që kalimi të mos ndodhë në kohë fushate. Braktisja e partisë për një parti tjetër në prag të zgjedhjeve është “prostitucion politik”: kush “paguan” më shumë merr shërbimet e mia!

Pra, s’ka rëndësi partneri, s’ka rëndësi orientimi ideologjik. Vrapi i partive për rekrutimin e figurave të reja në kohë zgjedhjesh është politikë e mashtrimit të dyfishtë: nga njëra anë tentojnë t’i manipulojnë qytetarët duke përçuar mesazhin e më të mirit dhe më të kërkuarit në tregun politik, kurse nga ana tjetër mashtrojnë të aderuarit të cilët po ashtu kalkulojnë me pazarin e dakorduar për aktin që do të bëjnë.

Historia e zgjedhjeve ka plot shembuj të tillë, mirëpo ajo që prevalon në këtë dukuri është goditja ndaj demokracisë. Sa qindra e mijëra aktivistë që punojnë me vite duke e mbajtur sistemin dhe kultivuar frymën e partisë, injorohen e anashkalohen për shkak të parashutistëve që shkojnë në fund t’i vjelin frutat e punës së tyre.

Kjo nuk është vetëm e padrejtë dhe denigruese, por edhe me pasoja serioze për zhvillimin e demokracisë dhe për meritokracinë si parim. E kur këtij “përforcimi” të partive ia shton edhe “prostitucionin politik”, paramendoni se çka pjellë gjithë ky paradoks që shënjon tranzicioni i përjetshëm demokratik i shoqërisë sonë. Pra, s’jam i çmendur e as aq injorant sa të mos e kuptoj rëndësinë që ka rekrutimi në jetën politike, por as “normal” dhe aq konformist sa të hesht ndaj tendencës së pandalshme mashtruese e të pamoralshme në emër të “vlerave” e të vizionit kozmik të disa partive.

Një fajtor që s’bën nuk mund të zëvendësohet me një më pak fajtor dhe një politikë që shkel parimet s’mund të zëvendësohet me një politikë që i shkel vetëm pak ato. Vijat e kuqe që shpesh e kanë ndërruar ngjyrën, jo vetëm që nuk i skuqin autorët e tyre, por as nuk do t’ua zbardhin të ardhmen qytetarëve.