
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, po ashtu deputete e AAK-së, Albena Reshitaj, ka bërë thirrje që të respektohen masat mbrojtëse dhe rekomandimet e IKSHPK-së që Kosova të mos goditet nga një valë e dyta e virusit Covid-19, njofton Insajderi.
“Të dashur qytetarë, mos respektimi i masave mbrojtëse dhe rekomandimeve tjera të lëshuara nga IKSHPK-ja ka bërë që vendi të përfshihet në një valë të re të të infektuarve me Covid-19 . Kjo pakujdesi sa institucionale aq edhe qytetare ka bërë që situata me Covid 19 në vend të kualifikohet shumë e rëndë madje nga fillimi i pandemisë e deri më tani është pikërisht java që lëmë pas e cila shënoi ndër javët me numër me të lartë të të infektuarve me Covid -19”, ka shkruar Reshitaj në llogarinë e saj në Facebook.
“Derisa tashmë janë mbi 1200 qytetarë të infektuar aktiv me Covid -19 dhe me një gjendje të rënduar në Klinikën Infektive në Prishtinë ku aktualisht janë të shtrirë mbi 120 pacientë pozitiv me Covid 19, është më shumë se kurrë përgjegjësi në radhë të parë e institucioneve përgjegjëse shëndetësore që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar përhapjen e infeksionit”.
Kryetarja e Komisionit, ka thënë që duhet respektuar masat si qytetarët, ashtu edhe institucionet, që të mos vijë deri te mbyllja e serishme./Insajderi.com