fbpx

Reuters citon Insajderin për vdekjen e Muhaxherit: Shko në ferr, ti aty e ke vendin

Portali hulumtues i lajmeve me bazë në Prishtinë, Insajderi, në një editorial për Muhaxherin, tha: "Sot duhet ta festojmë vdekjen e tij. Shko në ferr, aty ku të përket."

Reuters citon Insajderin për vdekjen e Muhaxherit: Shko në ferr, ti aty e ke vendin

Një komandant i vetëshpallur i shqiptarëve që ka luftuar për Shtetin Islamik në Siri dhe Irak, famëkeq në shtëpinë e tij në Kosovë, pas publikimit të videos ku ai shihet duke ja prerë kokën një njeriu, është vrarë. Këtë lajm e konfirmuan familja e tij dhe policia, të enjten.

Lavdrim Muhaxheri, 28 vjeç, vdiq në Lindjen e Mesme, por nuk ishte e qartë se në cilin vend, shkruan Reuters.

Një video e postuar në internet, në vitin 2014, shfaq se si Muhaxheri pret kokën një djali të ri i cili ishte i akuzuar nga ISIS-i, për spiunazh të qeverisë së Irakut.

Një tjetër video tjetër, tregoi Muhaxherin duke vrarë një person tjetër me një granatë.

Në vitin 2014, Departamenti i SHBA-së e vuri Muhaxherin në listën kryesore të terroristëve më të kërkuar.

Një zyrtar i policisë i cili nuk pranoi t’i bëhej i ditur emri, tha se ai është vrarë mirëpo detaje tjera nuk ka.

“Një mik bëri një telefonatë mbrëmë, për të konfirmuar se ai u vra në një sulm ajror”, tha një anëtar i ngushtë i familjes së Muhaxherit për Reuters, në vendlindjen e tij të Kaçanikut duke refuzuar të jap më shumë detaje.

Shumë njerëz në qytet rreshtuan të enjten për të shprehur ngushëllimet e tyre tek “babai” i luftëtarit të ISIS-it. Siç u kërkua nga familja, vdekja e Muhaxherit u njoftua në altoparlantë në xhaminë kryesore të qytetit.

“Ai ishte një person i këndshëm, kur ishte këtu, por më vonë, ashtu si shumë të rinj, atij i kishin shpërlarë trurin”, tha Behar Latifi pas takimit me babanë e Muhaxherit.

Shumica e 300 shqiptarëve etnikë nga Kosova, që njihen se kanë lënë vendin për të luftuar me Shtetin Islamik janë nga qyteti i vogël i Kaçanikut dhe fshatrat të afërta.

Më shumë se 50 janë vrarë, thonë zyrtarët e Kosovës. Rreth 120 vetë llogaritet të kenë lënë për t’u bashkuar me militantët sunitë islamikë nga Shqipëria dhe rreth 100 të tjerë, nga pakica shqiptare në Maqedoni.

Portali hulumtues i lajmeve me bazë në Prishtinë, Insajderi, në një editorial për Muhaxherin, tha: “Sot duhet ta festojmë vdekjen e tij. Shko në ferr, aty ku përket.”

Kosova nuk ka pasur ndonjë herë sulm militant brenda shtetit, por të paktën 200 persona janë arrestuar ose hetuar për vepra të dyshuara që lidhen me Shtetin Islamik.

Në vitin 2015, Kosova ka miratuar një ligj që parasheh dënime me burg, deri në 15 vjet për këdo që është shpallur fajtor për pjesëmarrje në luftëra jashtë vendit.