
Gjykata rajonale e Hamburgut ka dënuar me 50 mijë euro gjobë revistën “Bunte”, për lajmet falso dhe të pavërteta që ka botuar në adresë të ish-pilotit gjerman Michael Schumacher.
Në dhjetor të 2015-ës, dy vite pas aksidentit të 7 herë kampionit të botës, revista Bunte publikoi një artikull, me titull. “Mrekullia e Krishtlindjeve, Schumacher mund të ecë”. Por familja e pilotit përgënjeshtroi gjithçka dhe hodhi në gjyq revistën për publikimin e lajmeve të pavërteta.
Dhe sot erdhi vendimi i gjykatës, që dënoi me një shumë simbolike prej 50 mijë eurosh revistën (përveç shpenzimeve gjyqësore).
“Përderisa Michael nuk është në gjendje të ecë sot, as në kohën që është publikuar artikulli nuk ka patur mundësi ta bëjë atë gjë”, tha një zëdhënes i gjykatës së Hamburgut.
Tashmë revista gjermane mund ta apelojë vendimin dhe është kritikuar për publikimin e një lajmi të rremë, të pabazuar në fakte reale. Ndaj dhe gjoba e vendosur është sa gjysma e shumës së kërkuar nga familja Schumacher.