Rexhep Selimi i përgjigjet Haradinajt: Unë isha në luftë kur erdhe nga Zvicra

Rexhep Selimi i përgjigjet Haradinajt: Unë isha në luftë kur erdhe nga Zvicra

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi është përgjigjur për herë të parë rreth akuzave që kryeministri Ramush Haradinaj i ka bërë atij në Kuvend, duke i thënë se është rrenc, dhe që ka shpëtuar nga lufta pas një therrë. Ai ka thënë se shpërthimi i Haradinajt ishte i ulët, dhe se nuk e ka kuptuar pse ai i ka reaguar në atë mënyrë.

“Ishte shpërthim i ulët që nuk e prisja e as nuk e pres në të ardhmen, unë kam qenë në Kosovë, gjatë tërë luftës, skam ardhë nga Zvicra, këtu isha gjithmonë, kur erdhi Ramushi këtu më gjeti” ka thënë Selimi në një intervistë në TV Dukagjini. Selimi ka shtuar se në ditët në vijim do të kuptohet se kush është rrenc e kush jo.

“Do ta kuptojmë ditët e ardhshme kush është rrenc” ka thënë ai.

Deputeti I VV-së ka mohuar se ka qenë ndonjëherë në 15katshin në Shqipëri, për çka u akuzua nga Haradianaj.

Ai tha se Haradinaj e ka ngatërruar atë, me Azem Sylen ose këdo tjetër.

“Skam pushu asnjëherë në ndërtesën 15 katshe, mka ngatërru me Azem Sylen” ka thënë ai.

“Nuk o faji im nëse vëllezërit e mi nuk janë vra në luftë, e as që kam shpëtuar unë në luftë, Haradinaj do duhej të ishte i lumtur që unë kam shpëtuar e jo të ishte i mllefosur.

Se di pse ky mllef ai do duhej të ishte i gëzuar që unë kam shpëtuar” ka thënë Selimi./Gazeta Blic