Ridvan Dibra kandidati shqiptar për Çmimin Letrar “Balkanika 2017”

Ridvan Dibra kandidati shqiptar për Çmimin Letrar “Balkanika 2017”

Shkrimtari shqiptar, Ridvan Dibra, autor i mbi njëzet librave në prozë, poezi, eseistikë e studime letrare, si një prej zërave më të rëndësishëm e novatorë të letërsisë shqipe pas viteve ’90, do të përfaqësojë këtë vit letërsinë shqipe në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe letrare për rajonin e Ballkanit, që mban emrin simbolik “Balkanika”, me romanin e tij “Legjenda e vetmisë” (botuar në shqip nga Shtëpia Botuese “Onufri”).

Këtë vit, kjo ngjarje e rëndësishme kulturore do të organizohet në Bukuresht të Rumanisë, më 15 dhjetor 2018, ndërkohë që juria ndërkombëtare do të mblidhet për të diskutuar dhe vendosur për veprën më të mirë të botuar në rajonin e Ballkanit, në datat 13-15 dhjetor. Përfaqësuese e Shqipërisë në jurinë ndërkombëtare është Bisej Kapo, shkruan Kulplus.

Botimet Toena si pjesë e Fondacionit Balkanika (me qendër në Sofie) organizojnë mbledhjen dhe funksionimin e jurisë kombëtare që vendos çdo vit për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë kompeticion letrar ballkanik.

Anëtarët e Jurisë Kombëtare të këtij edicioni ishin: prof. Floresha Dado, Piro Misha, Diana Çuli, Sonila Kapo, Preç Zogaj.

Shkrimtarët pjesëmarrës të këtij edicioni, në garë për çmimin “Balkanika”, sipas vendeve përkatëse, janë:

– Ridvan Dibra “Le petit Bala: La Légende de la solitude” (Legjenda e vetmisë) – Shqipëria.

– Aksinia Mihaylova “Changement des miroires” (Ndryshimi i pasqyrave) – Bullgaria.

– Ermis Lafazanovski “Histoires” (Tregime) – Shkupi.

– Rhea Galanaki “L’ultime humiliation” (Poshtërimi i fundit) – Greqia.

– Ayhan Geçgin “La longue marche” (Rrugëtimi i gjatë) – Turqia.

– Eugen Uricaru “Le poids d’un ange” (Pesha e një engjëlli) – Rumania.

– Srđan Srdić “Combustion” (Djegie) – Serbia.

“Balkanika” është çmimi letrar më i rëndësishëm që ndahet për letërsinë ballkanike.

Krijimtaria e Ridvan Dibrës, që përfaqëson letërsinë shqipe në këtë konkurs, është përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rumanisht, malaziase, boshnjake etj., si dhe përfshirë në disa antologji brenda e jashtë vendit.

Ridvan Dibra është fitues i disa çmimeve kombëtare e mbarëkombëtare. Me romanin “Legjenda e vetmisë” ai fitoi çmimin “Rexhai Surroi” (2012), si romani më i mirë i botuar në hapësirën mbarëshqiptare. Në vitin 2018 ky roman u përkthye në frëngjisht me titullin “Le Petit Bala. La Légende de la solitude”, me përkthimin e Evelyne Noygues me botues “Le Ver à Soie”.

Romani “Legjenda e vetmisë” mbështetet mbi një këngë të vjetër shqiptare, ku spikasin dy vargjet që shënojnë edhe hyrjen e romanit: “Nana djalin ka qorrue/me gjaks t’burrit me u martue”. Mbi një bazë të tillë autori ndërton një roman të karakterit psikologjik, një roman mbi vetminë dhe hakmarrjen, duke vënë në qendër personazhin e Balës, i cili vuan vrasjen e mistershme të babait të tij. Përmes një stili mjaft elegant, plot poezi, ritëm e ndjeshmëri, lexuesi ndjek me interes gjithë ankthet e dyshimet e Balës rreth vrasjes së të atit (e fshehur si vetëvrasje) dhe rrekjet e tij të pasuksesshme për t’u hakmarrë. I veçuar, i vetmuar e i keqkuptuar, Bala nis e merr atributet e një Edipi a Hamleti modern, duke sjellë risi në personazhet e Romanit Shqiptar.

E këtë roman proza dhe poezia, ritmi dhe aritmia, thellësia dhe të vështruarit nga jashtë synojnë të sjellin një realitet.

“Urojmë që shkrimtari Ridvan Dibra të marrë këtë çmim të rëndësishëm letrar ballkanik dhe të përjetojmë të njëjtat emocione si në vitin 2002 kur fitues u shpall shkrimtari Fatos Kongoli, në vitin 2009 kur fitues u shpall Ismail Kadare apo në vitin 2015 kur fitues u shpall Bashkim Shehu!”, thuhet në njoftim.