Rikthehen pritjet për diasporen në kufirin me Serbinë

Rikthehen pritjet për diasporen në kufirin me Serbinë

Mërgimtarët edhe këtë vit nuk do t’iu shpëtojnë pritjeve të gjata në kufi për të hyrë në Kosovë për pushime, shkruan Insajderi.

Në pikat kufitare tashmë kanë filluar të vërehen kolona të gjata të automjeteve ku pritjet janë deri në 1 orë.

Siç njofton Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, sot në orën 11:20 në pikën e kalimit kufitar te Dheu i Bardhë gjatësia e kolnës për të hyrë në Kosovë është e gjatë 400 deri në 500 metra.

Edhe në pikën tjetër kufitare në Merdare kolona e automjeteve është e gjatë 100 deri në 120 metra, kurse pritjet janë 25-30 minuta.

Pritje deri në 25 minuta ka edhe në pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, në Vërmicë.

Kolona e automjeteve në këtë pikë në hyrje të Kosovës është 30-40 metra, ndërsa situatë më e qetë vërehet në pikat tjera kufitare.

Në anën tjetër, lehtësimi i masave ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të fluturimeve dhe udhëtarëve nga diaspora.

Këtë e kanë konfirmuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Bujar Gashi nga zyra për marrëdhënie me publikun e ANP-së, ka thënë për Gazetën Online Insajderi se vetëm gjatë muajit qershor janë realizuar një mijë e 378 fluturime, me gjithsej 176 mijë e 92 udhëtarë, derisa ka treguar që numri më i madh i fluturimeve është nga Zvicra.

“Gjatë muajit qershor i kemi shërbyer 176 mijë e 92 udhëtarëve ( vajte- ardhje) dhe kemi pas një mijë e 378 fluturime, ndërsa Zvicra prinë me numrin e fluturimeve dhe udhëtarëve”, ka deklaruar ai.

Ndërsa në të njëjtin muaj të vitin 2020, janë realizuar vetëm 148 fluturime dhe 10 mijë e 914 udhëtarë.

“Nëse krahasojmë me vitin paraprak kemi +1513.45 për qind më shumë udhëtarë këtë vit për muajin qershor në krahasim me vitin e kaluar për të njëjtin muaj dhe 831.08 për qind më shumë fluturime”, ka shtuar Gashi./Insajderi.com