Rikthehet furnizimi me ujë për miliona libianë, shmanget kriza humanitare

Rikthehet furnizimi me ujë për miliona libianë, shmanget kriza humanitare

Është rikthyer furnizimi me ujë në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, dhe në disa qytete tjera përreth tij. Lajmi i mirë erdhi dy ditë pasi furnizimi ishte ndërprerë për shkak se një grup i armatosur hyri në dhomat e kontrollit të ujësjellësit, duke shkaktuar ndërprerje që mund të shkaktonin krizë humanitare.

“Kriza e ndërprerjes së ujit ka përfunduar dhe furnizimi ka filluar” njoftoi kompania “Lumi i Madh”, e cila menaxhon rrjetin e ujësjellësit që furnizohet nga burimet e shkretëtirës së Saharas.

Të dielën e kaluar, një grup i armatosur kishin hyrë në dhomat e kontrollit të ujësjellësit dhe i kishin detyruar punëtorët ta ndërpresin furnizimin nga puset nëntokësore. Në këtë mënyrë, më shumë se dy milionë banorë të Tripolit dhe shumë njerëz të zonave tjera mbetën pa ujë.

Grupi i armatosur u prezantuan si përkrahës të gjeneralit Khalifa Haftar, lider i Ushtrisë Kombëtare Libiane. Forcat e tij mbizotërojnë në lindje dhe në jug të Libisë. Ato gjithashtu janë përpjekur ta marrin nën kontroll edhe kryeqytetin, por deri tani kanë dështuar.

Incidenti i ndërprerjes së furnizimit me ujë e vuri në pah brishtësinë e sistemit publik të Libisë për shkak të luftës së gjatë, shkruan “The Guardian”.