
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se rinia kosovare është resursi më i madh që ka vendi për zhvillim ekonomik dhe përparësi reale për investitorët e huaj që dëshirojnë të investojnë në Kosovë.
“Popullata e re e Kosovës është një nga përparësitë e zhvillimit ekonomik në Kosovë. Ne kemi arritur që në vitin e kaluar të përballojmë fluksin e të papunëve, dhe unë jam i bindur se me ardhjen e investimeve nga jashtë do ta zvogëlojmë atë”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa në Forumin për Investime dhe Tregti Kosovë – Itali që u mbajtë në Romë.
Mustafa ka thënë se në Kosovë ka pasur problem me energjinë elektrike, mirëpo, sipas tij, së fundmi janë në bashkëpunim me një investitor amerikan që do ta ndërtojë një termocentral të ri për të rritur zhvillimin ekonomik.
“Kemi nevojë për një zhvillim më të madh në miniera, në investime bujqësore, e gjithashtu edhe në zhvillimin e turizmit dimëror dhe në zhvillimin e teknologjisë, për shkak se të rinj tanë janë të fokusuar më shumë në këtë drejtim”, ka thënë Mustafa.
“Edhe në infrastrukturë kemi një zhvillim mjaft të madh. Kemi ndërtuar autostradën me Shqipërinë dhe jemi në përfundim me autostradën për në qytetin e Shkupit. Dhe kjo do të ndihmojë që produktet italiane të hyjnë më lehtë në Kosovë”, ka shtuar ai.
Kurse Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili po ashtu mori pjesë në këtë Forum, tha se prodhimet e italiane dhe ato kosovare janë shumë pak të pranishme në tregjet e njëra-tjetrës.
“Prodhimet italiane janë pakrahasimisht të vogla në tregun tonë e gjithashtu edhe produktet tona janë shumë të vogla në tregun italian, edhe pse kemi një bashkëpunim të madh me njëra-tjetrën”, ka thënë Veseli.
Ai shpreson që ky forum t’i shërbejë këtij drejtimi, ku produktet tona të kenë një rëndësi të veçantë me Itali.
“Një nga aspektet që kanë për qëllim investimin e të huajve në Kosovë është luftimi i korrupsionit. Kemi një sistem bankar më të qëndrueshëm në rajon, duke lënë mbrapa shumë vende të rajonit për reformat tona të investimit”, ka shtuar Veseli me këtë rast.
“Kosova ofron tatimet me të ulëta në Evropë, ka edhe shumë benefite tjera që inkurajon investimet e huaja”, vlerëson ai.
Ai ka thënë se Kosova ka një popullatë të re e cila është një nga premisat më të mëdha të shtetit të Kosovës për zhvillimin ekonomik është forcë dinamike dhe një nga asetet më të mëdha të Kosovës për zhvillimin e tregut ekonomik, edhe pse ne kemi edhe shumë sfida të reja në zhvillimin ekonomik.
Veseli u ba hërë thirrje të gjithë investitorëve italianë që të vijnë në Kosovë, duke besuar se ata do të gjejnë një numër të madh të perspektivave ekonomike që ata të vijnë në Kosovë.
Ndërkaq, në këtë Forum foli edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Hykmete Bajrami. Ajo tha se Kosova ofron kushte shumë të favorshme për investime të huaja.
“Ne kemi një ekonomi të hapur për të gjithë si për investitorët të huaj ashtu edhe vendorë. Kemi krijuar ekipe që t’ju ndihmojnë investitorëve për investimet e tyre në Kosovë”, tha ajo.
“Kosova ofron një hapësirë mjaftë të madhe që investitorët e huaj të investojnë në Kosovë duke filluar nga taksat e ulët e deri tek kapaciteti natyror. Kemi dy projekte të cilat mund të investojnë në Kosovë në turizmin dimëror, siç është ai një teren për skijim e gjithashtu kemi edhe Brezovicën një terren botëror i skijimit”, shtoi ministrja e Tregtisë, Bajrami.
Ajo tha se janë të gatshëm t’i mirëpresin për çfarëdo investim që dëshirojnë ta bëjnë investitorët italianë në Kosovë./Insajderi.com