Rita Petro publikon një dedikim për bashkëshortin që u nda nga jeta

Rita Petro publikon një dedikim për bashkëshortin që u nda nga jeta

Ditën e djeshme u dha lajmi se presidenti i shtëpisë botuese “Albas” dhe bashkëshorti i poetes Rita Petro, Latif Ajrullai, është ndarë nga jeta, njofton Insajderi.

Në një postim në profilin e saj në Facebok, Petro i ka bërë një dedikim të ndjerë partnerit të saj të jetës, duke ndarë edhe një foto të tij, që kishte shkrepur vetë ajo në Rovinjë të Kroacisë, para tre vjetësh.

“PËR TY, LATO, QË NUK E LËSHOVE KURRË TIMONIN NGA DORA.

Ne ishim të dy kapitenë, por me një ndryshim. Ti kurrë nuk e lëshove timonin nga dora… unë ndonjëherë po, kur më trembte ndonjë dallgë e madhe apo kur joshesha nga viset e reja, te panjohura. Kur kthehesha, ty të gjeja aty me duart në timon. Me ty isha vetvetja…e lirë, me ty isha e sigurt.

Nuk e di se a do jem aq e qëndrueshme sa ty, pa ty… por po i jap vetes kurajë… e si të mos i jap i dashur Lato, me gjithë këto vlerësime të vërteta e dhimbje të madhe për ty, nga i gjithë stafi i Albasit e Deaprintit, nga miqtë tanë të dashur realë e virtualë, nga kolegët tanë, njerëz të librit e të kulturës. I falënderoj të gjithë nga thellësia më e thellë e shpirtit e i uroj ta mbushin jetën me dashuri e muzikë edhe kur jeta t’ju bëhet e vështirë. Kjo ishte ajo që bëmë ne për 20 vite.

Po të përcjellim Lato me jazz dhe wisky…puron që ke lënë përgjysmë do ta pi deri në fund. Se ti ishe sa profesor serioz e biznesmen vizionar, aq edhe rock-ist e rrolling stone-s”, shkruan ajo.

U bë e ditur se Ajrullai u nda në mënyrë të papritur nga jeta, ndërsa disa media raportojnë se ai ishte prekur nga COVID-19.

Latif Ajrullai iu përkushtua me pasion botimeve shkollore, si botues dhe autor, si përkthyes dhe autor i disa librave psikologjikë dhe shkencorë e artistikë. Ai, si atdhetar e vizionar, së bashku me poeten e mirënjohur Rita Petro, realizuan një ëndërr të tyren për të bërë tekste shkollore për nxënësit shqiptarë në të gjitha trevat shqiptare.

Ata ngritën që në vitin 2000 kompaninë e mirënjohur ALBAS në Shqipëri, me degët e saj në Maqedoni, Kosovë, Preshevë për të sjellë librin shqip sa më afër nxënësve e lexuesve shqiptarë në hapësira të ndryshme gjeografike, si dhe në diasporë. /Insajderi.com