Robert Mueller do të dëshmoj hapur në Kongres

Prokurori i posaçëm, Robert Mueller, është pajtuar të dëshmojë hapur para Komisionit Juridik dhe atij të zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve muajin e ardhshëm.

Robert Mueller do të dëshmoj hapur në Kongres

Kryetarët e të dy komisioneve, Jerrold Nadler dhe Adam Schiff, njoftuan përmes një letre të martën vonë, se prokurori Mueller do të paraqitet me 17 korrik dhe se ata dhe të gjithë amerikanët mezi po presin të dëgjojnë prej tij.

Robert Mueller udhëhoqi një hetim pothuajse dy vjeçar mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe pretendimet se presidenti, Donald Trump, pengoi drejtësinë duke u përpjekur të mbyllë hetimin.

Ai publikoi një raport, një version i redaktuar i të cilit u bë publik në muajin prill, që përfundoi se fushata e presidentit Trump nuk kishte bashkëpunuar me Rusinë gjatë zgjedhjeve, por nuk arriti të sillte një përfundim në lidhje me pengimin e drejtësisë.

Presidenti Trump ishte shume kritik ndaj procesit, duke i cilësuar hetimet vazhdimisht si “ndjekje shtrigash”. Ai reagoi shkurt pas njoftimit të së martës në rrjetin twiiter duke shkruar “keqtrajtim i presidentit”.

Komentet e vetme të prokurorit Mueller deri tash u bënë në një konferencë me gazetarë në muajin maj, gjatë së cilës ai lexoi një deklaratë të përgatitur që më parë dhe nuk pranoi asnjë pyetje, transmeton VOA.

Ligjvënësit Nadler dhe Schiff kishin lëshuar fletëthirrje që kërkonin detyrimin e prokurorit Mueller që të dëshmojë, duke shpjeguar se ndërsa ata vënë në dukje dëshirën e prokurorit të posaçëm që është i mjaftueshëm raporti i tij me shkrim, publiku meriton të dëgjojë drejtpërdrejt jo vetëm për përfundimet e tij, por edhe për vet hetimet.

Demokratët kanë kërkuar jo vetëm publikimin e më shumë informacioneve nga raporti i zotit Mueller, por kanë vazhduar të kërkojnë dëshmi nga Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarët e fushatës së presidentit Trump, për të mësuar më shumë rreth asaj që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve dhe në pjesën e parë të mandatit të presidentit. Republikanët i kanë kritikuar hetimet duke theksuar se Kongresi duhet të ecë përpara.