Rouhani i bëri thirrje SHBA ta bëjnë hapin e parë dhe t’i heqin sanksionet ndaj Iranit

Presidenti i Iranit Hassan Rouhani ka kërkuar nga SHBA ta bëjnë hapin e parë dhe t’i heqin të gjitha sanksionet ndaj vendit të tij, duke reaguar në vlerësimet e presidentit amerikan Donald Trump se do të ishte i mundur takimi me liderin iranian.

Rouhani i bëri thirrje SHBA ta bëjnë hapin e parë dhe t’i heqin sanksionet ndaj Iranit

“Etapa e parë është tërheqja e sanksioneve. Duhet t’i tërhiqni të gjitha sanksionet ilegale, të padrejta dhe të gabuara kundër kombit iranian”, ka thënë Rouhani në fjalimin të cilin e ka transmetuar televizioni shtetëror.

Uashingtoni përsëri ka futur sanksione ndaj Iranit pas vendimit të presidentit amerikan në vitin 2018 që në mënyrë të njëanshme t’i tërheqë SHBA nga marrëveshja nukleare me Iranin nga viti 2015.

Presidenti i SHBA Donald Trump ka thënë dje në Francë se do të takohet me presidentin iranian Hassan Rouhani nëse për këtë ekzistojnë rrethanat që të zgjidhet problemi nuklear me Teheranin. Në samitin e G7 në Francë, Trump ka thënë se nuk do t’i zbusë sanksionet para takimit të mundshëm me iranianët apo të sigurojë dëmshpërblim nëse Irani pajtohet me disa kushte të caktuara./Insajderi.com.