Rouhani: Irani nuk do luftë me asnjë vend, e as me SHBA

Presidenti i Iranit Hassan Rouhani i ka thënë homologut të tij francez Emmanuel Macron se vendi i tij “nuk dëshiron luftë me asnjë vend”, e as me SHBA, ka transmetuar agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit IRNA.

Rouhani: Irani nuk do luftë me asnjë vend, e as me SHBA

“Irani nuk ka asnjë interes t’i ngritë tensionet në rajon dhe nuk dëshiron luftë me asnjë vend, e as me SHBA”, ka thënë Rouhani në një bisedë telefonike me Macron.

Rouhani dhe Macron kanë biseduar në kohën e tensionimeve të ashpra në mes të Uashingtonit dhe Teheranit, pas më pak se një jave pasi Irani e rrëzoi një dron amerikan, në kohën e brengosjes për ardhmërinë e marrëveshjes nukleare të cilën SHBA e kanë braktisur në vitin 2018.

Macron të hënën ka thënë se do të bisedojë me presidentin amerikan Donald Trump për Iranin në magjirat e samitit G20 i cili do të mbahet në fund të javës në Japoni.

Siç transmeton IRNA, Rouhani i ka thënë Macronit se iranianët “gjithmonë kanë punuar në favor të paqes dhe stabilitetit rajonal e që edhe më tutje do të punojnë në këtë drejtim”.

Ai i ka fajësuar SHBA “për gjithë tensionimet në rajon”, ndërsa me rastin e rrëzimit të dronit ka thënë se “fluturakja ka marrë paralajmërim kur ka hyrë në hapësirën ajrore të Iranit”.

Uashingtoni pretendon se droni është rrëzuar në hapësirën ndërkombëtare ajrore./Insajderi.com.