Rrahja në shkollën “Dardania”, dy nxënës arrestohen

Rrahja në shkollën “Dardania”, dy nxënës arrestohen

Dy persona janë arrestuar lidhur me incidentin e ndodhur ditë më parë pranë lagjes “Dardania”, në të cilin ishin të përfshirë disa nxënës, njofton Insajderi.

Policia e Kosovës me anë të një njoftimi për media, ka bërë të ditur se pas veprimeve operative hetimore, janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar, ndaj të cilëve gjyqtari i procedurës paraprake iu ka vazhduar masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

“Në incidentin i cili kishte ndodhur jashtë objektit dhe hapësirave shkollore, njëri prej nxënësve kishte pësuar lëndime trupore dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor, përderisa Policia e Kosovës është duke vazhduar hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të përfshirë në rast”, thuhet në njoftim.

“Policia e Kosovës lidhur me këtë rast por edhe rasteve tjera të cilat kryesisht kanë ndodhur jashtë objekteve dhe hapësirave shkollore, e të cilat nuk janë ndërlidhur me procesin mësimor apo me sigurinë në shkolla, ka ndërmarrë dhe po vazhdon të ndërmerr veprime konkrete përmes planit operativ ‘Siguria në Shkolla’”, njoftohet më tej.

Tutje në këtë kumtesë thuhet se Policia e Kosovës synon parandalimin e incidenteve në shkolla dhe për rreth tyre si dhe ngritjen e mëtejme të sigurisë së përgjithshme përfshirë sigurinë në shkolla dhe rreth tyre.

“Përveç planeve operative që janë në vijueshmëri, policia ka angazhuar edhe njësi patrulluese me rroba civile, zyrtar sektorial dhe zyrtarë policor të njësisë së komunitetit, të cilët organizojnë takime me drejtori të arsimit komunal, drejtori të shkollave, kujdestar të shkollave, me këshille komunale për siguri në bashkësi, me këshille lokale për siguri publike me këshille të prindërve si dhe në vazhdimësi mbajnë ligjërata të ndryshme në mënyrë që të sensibilizojnë nxënësit dhe të parandalohen dukuritë e tilla negative. /Insajderi.com