Rrëfehet Allegri: E kam menduar dorëheqjen

Rrëfehet Allegri: E kam menduar dorëheqjen

“Kur kam parë golin e Mario Mandzukic kame menduar ‘Uau, ndoshta do të jetë nata jonë’. Kur kam dalë nga stadiumi i Kardifit isha në paqe me veten. Kur jam kthyer në Itali, një natë më pas, kam pyetur veten nëse ishte fundi i rrugës për mua”.

Këto janë tre momentet më të rëndësishme të rrëfimit të Massimiliano Allegri-t për “The Players’ Tribune”, platformë mediatike ku trajnerët dhe sportistët mund të flasin për gjithçka që duan në vetë të parë. Trajneri i Juventus ka shkruar për mbrëmjen e finales së Champions-it, për ato që kanë ardhur më pas dhe për zgjedhjen e tij për të vazhduar.

KARDIF – Shkrimi fillon nga finalja e Champions League: “Kur kam parë se topi i goditur nga Mandzukic ka kaluar portierin kam menduar ‘Uau, ndoshta kjo është nata jonë’. Ka qenë një lëvizje teknike e mrekullueshme, një gol i papërsëritshëm. Ajo që duhet në finale. Nuk mjafton të jesh i madh, duhet të jesh special. Ne kishim lojtarë specialë, por Reali kishte shumë të tillë. Në pjesën e dytë nuk kishim mjetet e duhura, elementët e duhur. Kishim dy lojtarë që rrinin në këmbë me vështirësi për shkak të dëmtimeve, ndërsa Real ka luajtur një ndeshje të zgjuar dhe të qetë. Mund të duket e çuditshme, por kam dalë nga fusha në paqe me veten: nuk ishim skuadra më e mirë. Natën pasardhëse, në shtëpi, i kam bërë vetes pyetjen më të vështirë: ishte fundi i rrugës sime, ishte maksimumi që mund t’i jepja këtij ekipi?”.

DORËHEQJA – “Një pjesë e imja donte të shkonte të hënën në klub dhe të jepte dorëheqjen”. Për t’i dhënë një përgjigje këtyre dyshimeve, Allegri ka zbuluar se ka sjellë në mendje periudhën kur ishte fëmijë dhe ka menduar për arsyet që kanë shtyrë të bëhej trajner. “Në moshën 14 vjeç e urreja shkollën. Nuk mendoja se mund të isha një student i mirë, por mendoja se mundtë bëhesha drejtor. Ndoshta të gjithë trajnerët e kanë ëndërruar një gjë të tillë. Edhe kur kam qenë një lojtar i ri kam dashur të jap mësim”. Më pas ka menduar për periudhën kur gjyshi shkonte ta shikonte të luante dhe nuk bënte kurrë asnjë koment për ndeshjen, por donte të dinte nëse ishte argëtuar: “Kërkoj të kujtoj atë mësim, e shikoj veden si një trajner të ekipit të moshave: adhuroj të jap mësim dhe të përmirësoj lojtarët më të mirë dhe më të zgjuar”.

DYBALA, BUFFON  DHE PLAGËT – Kështu ka arritur në vendimin për të qëndruar: “Kam menduar se kisha akoma shumë për të treguar. Dhe e dija se kisha akoma shumë gjëra për t’i mësuar lojtarëve. Kështu, atë natë, para se të flija, kam menduar se nëse klubi do të më mbështeste mua dhe strategjinë time dhe nëse mund të vazhdonim përpara bashkë, do të qëndroja. Është një sezon i ri, me mundësi të reja. Shikoj Dybala dhe Buffon si simbole të Juventus-it: njëri është një djalosh që fillon vitin e parë të shkollës, djetri drejt fundit të saj. Njëri do të tregojë se është mes më të mirëve në Europë, tjetri është i tillë, por do të largohet në mënyrën më të mirë të mundshme. E di se mund të fshijmë plagët e Kardifit dhe të zhvillojmë një sezon të madh. Dhe do të kërkojmë të shkojmë në finale”.