Rrëfehet deputeti i LDK-së: Dikush sot do të vritej, por ai nuk ishte Presidenti Rugova

Rrëfehet deputeti i LDK-së: Dikush sot do të vritej, por ai nuk ishte Presidenti Rugova

Deputeti zgjedhur i LDK-së, Fetah Rudi, i cili si pasojë e një atentati me armë ka mbetur i plagosur rëndë dhe është i palëvizshëm, ka thënë se nuk ka dyshime se sulmi ndaj tij është i motivuar politikisht.

Rudi, në RTV Dukagjini, ka treguar një moment kur i ka shpëtuar atentatit të parë.

Ai rrëfen se gjatë një tubimi të fushatës zgjedhore që LDK po mbante në stadiumin e Prishtinës e ka parë Agim Zogajn, i njohur si ‘Dëshmitari X’ dhe e ka përshëndetur, pasi më të ishin njohur edhe në Kleçkë, si pjesëtarë të UÇK-së.

Rudi tregon se disa persona ia kanë bërë me shenjë Zogajt më kokë në drejtim të tij, me qëllimin që t’i tregonin se ai ishte Fetah Rudi.

Ai thotë se në atë moment nuk e ka pasur idenë se kishte qenë shënjestër për t’u vrarë, por shton se këtë e kuptoi më vonë kur një djalë i ri i ishte afruar duke i  thënë se “je në rrezik për jetë”.

Rudi thotë se personi në fjalë ishte dërguar nga vetë Agim Zogaj, që unë të kem kujdes.

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, thotë se pas këtij paralajmërimi kishte shkuar te Presidenti Rugova, duke ia treguar rastin.

Rugova e kishte strehuar në binë dhe më pas njerëzit e tij e kishin përcjellë deri në Malishevë.

Ai thotë se në radiolidhje te sigurimi i Rugovës kishte dëgjuar “që dikush sot do të vritej, por ai nuk ishte Presidenti Rugova”.

Rudi thotë se rreth një muaj e gjysmë pas këtij paralajmërimi, ndaj tij u bë atentati me breshëri plumbash, e që ka bërë që ai sot të jetë i paralizuar në karrocë invalidësh.