Rrëfimi i bashkëshortes për burrin dhe i djalit për babain e zhdukur që 20 vite

Familjarët e të zhdukurit në luftë, me lutje ndaj Ekipit Negociator kosovar; në dialogun me Serbinë të pagjeturit të jenë kryetema.

Rrëfimi i bashkëshortes për burrin dhe i djalit për babain e zhdukur që 20 vite

Kosova e Serbia që nga viti 2011 e deri më sot janë duke dialoguar mes vete. Fillimisht dialogu u quajt ‘‘dialog teknik’’ e më pas ‘‘dialog politik’’. Mirëpo, asnjëra e as tjetra qasje nuk arriti të përfshijë e aq më pak të zgjidhë fatin e personave të zhdukur gjatë luftës, ani pse janë arritur 19 marrëveshje mes dy shteteve.

Që nga viti i kaluar është duke u përmendur se viti 2019 do jetë ‘‘viti i finalizimit të dialogut me Serbinë’’. Iniciues e bajraktar i kësaj ideje është Presidenti Hashim Thaçi që vazhdimisht ka pretenduar se do ‘‘arrihet marrëveshja historike’’. Mes korrigjimit të kufinjve e disponimit ndërkombëtar, Thaçi beson se do arrihet ‘‘marrëveshja historike me Serbinë’’.

Mirëpo, gjatë kësaj kohe, presidenti vetëm në ‘‘Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur’’ ka përmendur fatin e 1647 personave të zhdukur gjatë luftës e për fatin e të cilëve nuk dihet tash e mbi 20 vjet.

Por, me arritjen e ‘‘marrëveshjes historike’’ a do zgjidhet fati i personave të zhdukur gjatë luftës?

VIDEO e Intervistës me familjarët e Rexhep Mazrekut, kliko këtu.

‘‘Lutem që të zhdukurit e luftës të jenë tema kryesore me Serbinë’’Pak shpresë, më shumë zhgënjim e dyshim

Në ditën e 4 prillit të vitit 1999-të, në fshatin Kralan të Gjakovës, forcat serbe morën nga familja e tij, Rexhep Mazrekun. Që nga ajo e ditë, bashkëshortja Ganimetja dhe tre fëmijët e tyre nuk e dinë se ku ka përfunduar ai. Por ata e dinë në detaje momentin se si u’a morën Rexhepin.

Me ashpërsimin e luftës dhe për t’i shpëtuar rrezikut, familja Mazreku largohet nga shtëpia në Malishevë për në drejtim të Klinës. Ata u vendosën tek dajët e Rexhepit ku ai punonte para fillimit të luftës. Siguri nuk u ofroi as konaku i dajave të tyre, pasi që pas gjashtë muajve të qëndrimit aty edhe Klina u sulmua nga forcat serbe.

‘‘Na dëbuan prej shtëpie – qysh i kanë dëbuar krejt – e na thanë ecni për Shqipni’’, kujton Ganimetja ditën kur familja e saj dhe qindra të tjerë u larguan me dhunë nga Klina dhe morën rrugën për në Gjakovë për të shkuar në Shqipëri.

‘‘Rrugës së Gjakovës na kanë ndalë në Kralan… ku kemi qëndruar për katër ditë’’, tregon ajo, përderisa kujton se gjatë asaj kohe fshati edhe ishte granatuar. Pas atyre ditëve, forcat serbe hynë në fshat dhe u thanë të largoheshin prej aty. Mirëpo, paraprakisht, ata ndanë burrat nga gratë e fëmijët dhe grave e fëmijëve u thanë të largoheshin prej aty.

‘‘… oh bre qysh po ju lajmë k’shtu me fmi t’vogël’’, është thirrja e dëshpëruar që Ganimetja rikujton nga ai moment.

Gratë refuzuan të largoheshin prej aty edhe pse burrat po ju thoshin ‘‘ecni mos u nalni, kqyrni fmitë’’. Ato kishin shpresën se burrat do liroheshin, por kur forcat serbe u bënë edhe më shumë agresive dhe rritën presionin ndaj tyre, ato u larguan për hirë të fëmijëve.

Bashkëshortja e Rexhep Mazrekut, Ganimetja

Ganimetja kujton bisedën e shkurtër dhe të fundit që pati me Rexhepin. ‘‘Ganimete ti din’i qysh i kqyr fmitë e i rritë’’, i tha ai – përderisa atë dhe burrat e tjerë po i zhvisheshin me dhunë forcat serbe. Sipas saj, ky është amaneti i fundit që ai i la. Përveç amanetit – që beson se e ka përmbushur – ajo kujton edhe vajin që atë moment patën fëmijët e tyre; Dritoni, Marigona dhe Fatoni.

Dritoni atë kohë ishte vetëm 9-vjeçar por kujton momentin kur u nda nga babai. ‘‘… kam qenë në qafë të prindit tem dhe forcat serbe me forcë më kanë zhdryp poshtë dhe m’kanë nda nga prindi’’, thotë ai. Rrugën për t’u larguan nga aty e bënë në këmbë dhe Dritoni e kujton shumë mirë atë. ‘‘Pse spo vjen babi me neve, pse e ndalën’’, përgjatë saj pyeste ai.

Pyetje që ndaj nënës u bë nga fëmijët edhe kur ata u khyen në Kosovë, kur veçse lufta kishte përfunduar. ‘‘Më thoshin kush na ngon suksesin neve kur vishin prej shkollës’’, kujton Ganimetja, përderisa ajo u thoshte; ‘‘është në burg në Serbi, një ditë ka me ardhë i gjallë’’.

‘‘Veç i mashtrojsha qashtu derisa u rritën derisa e kuptuan edhe vetë se çka u kanë lufta’’, thotë ajo.

Me t’u kthyer në Kosovë, Dritoni 9 vjeçar kërkonte pa pushim babain e tij “ka qenë krizë e madhe, nuk kishim as ku me flejt, as nuk kishim ushqim mjaftueshëm, por prapë si fëmijë unë e kërkojsha prindin për arsye se gjithë shoqëria aty afër, ata i kishin prindërit e tyre”, rrëfen ai.

“pyetsha e më thoshin, po, po ka me u kthy e sot e 20 vite asgjë nuk dimë dhe beso që janë sikur 20 ditë”, thekson ai i zhgënjyer me punën që institucionet e vendit kanë bërë, për të pagjeturit.

Rreth 8 vite dialog mes Kosovës e Serbisë me pretendimin e arritjes së “marrëveshjes historike”, familjarët Rexhepit, bashkëshortja Ganimetja e djali, Dritoni janë të dëshpëruar me punën që është bërë për fatin e të afërmit të tyre e 1646 personave të tjerë, që vazhdojnë të jenë të zhdukur.

“Kurgjo hiç nuk është bo, 20 vjet do të thotë duke dëgjuar lajme, mediat duke i përcjell çka po bëhet, çka po arrihet, kurgjo naj hap i rëndësishëm, naj lajm i vërtetë sikur nuk ka kurrfarë rëndësie për ata, sikur nuk ka najfarë rëndësie për Qeverinë e Kosovës, për shtetin tonë ky rast”, thotë i mllefosur i biri i Rexhepit. Përderisa Ganimetja kërkon që ndaj Serbisë të vendosën sa më shumë kushte, sepse sipas saj Kosova mund t’a bëjë një gjë tillë.

“Mos të dominojë më Serbia, boll ke mo”, apelon, gruaja e Rexhepit.

Deri tani nuk është bërë kurgjo për të pagjeturit, por Dritoni sërish ka një fije shpresë se mos ndoshta delegacioni shtetëror i zgjedhur për bisedimet me Serbinë, do t’a marrë seriozisht kësaj radhe temën e të pagjeturit.

Djali i Rexhep Mazrekut, Dritoni

“Unë së pari lutna. Ishalla është tema e të zhdukurve e para aty, edhe pse nuk po besoj sepse unë po i shoh edhe intervistat e tyre, më shumë është interesi i tyre kush po don me hi aty e kush po don me shku atje sesa se çka kanë me bisedu atje”, është shprehur ai.

Dritoni përmes Insajderi ju drejtohet me një apel Ekipit Negociator.

“Ju bëjë apel në emër të gjithë të zhdukurve dhe prindit tem mas pari dhe emër të gjithëve 1600 që janë, ju lutem, ju lutem çështja e të zhdukurve të jetë kryesorja në dialogun me Serbinë, ju lutem shumë”, është kërkesa e djalit të një personi të pagjetur, që që nga lufta nuk dihet për të.

“Ska ‘marrëveshje historike” me Serbinë – pa zbardhjen e fatit të 1647 persona të zhdukur gjatë luftës

Në lidhje me temën e personave të zhdukur, Insajderi ka kontaktuar edhe me Ibrahim Makolli, kryetar i Delegacionit të Kosovës për Bisedime për të Zhdukurit.

Makolli ka thënë se Kosova avancon në rajon për sa i përket zgjidhjes së fatit të tyre, megjithatë, derisa të mos zgjidhet fati edhe i personit të fundit të zhdukur, nuk mund të themi që kemi bërë mjaft.

Ibrahim Makolli, kryetar i Delegacionit të Kosovës për Bisedime për të Zhdukurit

“Ekipi Negociator i Kosovës çështjen e të Zhdukurve e ka vënë në prioritet dhe është thënë se pa zgjidhjen e saj nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare më Serbinë. E them që kjo çështje duhet trajtuar jo vetëm në zbulimin e fatit të tyre, por edhe në nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve të këtyre krimeve”, ka theksuar Makolli për Insajderin.

Ai ka sqaruar se si komision kanë pasur takime me Ekipin e ri Negociator ‘ne kemi zhvilluar takim me bashkudhëheqësin e Ekipit z. Limaj, nga i cili jemi njoftuar për synimet e Ekipit, jo vetëm në trajtimin e çështjes, por edhe në zgjidhjen e saj’.

I pyetur se a kanë provuar që të bëjnë ndonjë strategji së bashku me Ekipin Negociator, ai ka thënë se të gjithë mekanizmat institucional janë vënë dhe do të jenë në dispozicion të Ekipit Negociator, qoftë në hartimin e Strategjisë, qoftë në format e tjera, të cilat Ekipi do t’i vlerësoj.

Makolli është shprehur i gatshëm që të marrin përgjegjësitë si komision, që u kërkohen, në cilat do forma. Madje ai ka zbuluar se ‘ janë njoftuar nga bashkudhëheqësi i Ekipit, brenda tij, do të jetë një grupi i veçantë i cili do të merret vetëm me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur’.

Deri më tani është thënë publikisht në disa raste se çështja e personave të pagjetur do jetë kyçe në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Por nuk është paraqitur detaje apo ndonjë dokument se kësaj radhe me të vërtet do flitet për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës. A besoni apo a keni ndonjë informacion se kësaj radhe çështja e personave të zhdukur gjatë luftës do jetë pjesë e bisedimeve?

Kryetari i Delegacionit për bisedimet për të zhdukurit ka thënë se nuk duhet të vajtohet e kaluara, por ajo duhet të na shërbej, që të mos përsërisim gabimet që kemi bërë.

“Ekipi Negociator ka paralajmëruar se gjatë ditëve ne vazhdim do të paraqesin platformën e Kosovës për negociata dhe, sipas njohurive që kemi çështja e të zhdukurve, jo vetëm që do të jetë pjesë e bisedimeve, por do të jetë krye tema. Kjo është deklaruar nga të gjithë zyrtarët shtetëror, që nga Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe anëtarët e Ekipit”, tha Makolli për Insajderin.

“Serbia e di ku ndodhen të zhdukurit” – do të kërkojmë hapjen e arkivave

Njëri prej Kryesuesve të Ekipit Negociator kosovar për dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj, për Insajderin ka komentuar se a do të përfshihet tema e të zhdukurve të luftës në bisedimet me Serbinë.

Limaj ka konfirmuar se tema e të zhdukurve do të jetë qendrorja në bisedimet mes Kosovës e Serbisë.

‘‘Përveç temës kryesore – që është njohja [e Kosovës shtet] dhe që është tema më e madhe politike – nga nën temat kryesore ka me qenë tema e të pagjeturve; ajo ka me pas vendin e vet në marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ne besojmë që çështja e të pagjeturve mund të kryhet lehtë në qoftë se është vullneti’’.

Kryesuesi i Ekipit Negociator për dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj

Kryesuesi i Ekipit Negociator është shprehur i bindur që Serbia ka shënime dhe e di saktë fatin e të pa gjeturve;‘‘Ne kemi informacione nga brenda Beogradit se nga të gjitha dosjet e njerëzve të pagjetur janë në arkivat shtetërore të Shërbimit ushtarakë dhe policor të shtetit serb. Njëra nga pikat që ne do të kërkojmë do të jetë hapja e arkivave shtetërore’’, ka thënë ai.

Përkundër, që Ganimetja, bashkëshortja e Rexhep Mazrekut – i zhdukur gjatë lufës në Kosovë dhe i biri i tyre, Dritoni kanë fare pak shpresa që me dialogun mes Kosovës e Serbisë do të dihet për fatin e të pa gjeturve, Limaj ka theksuar se nuk mund të ketë marrëveshje me Serbinë, pa zgjidhur fati i 1647 personave të zhdukur, sipas tij me arrtijen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse presin që përfundimisht të zgjidhet edhe çështja e të pagjeturve.

Limaj ka treguar se përgjatë kësaj kohe ai është takuar me komisionin qeveritar, ku është njoftuar për gjithë punën që e kanë bërë, sfidat, problemet, vështirësitë gjithashtu edhe për planifikimet që i kanë në lidhur me këtë çështje

Mes tjerash, Limaj ka konfirmuar se brenda Ekipit Negociator do të jetë një ekip i posaçëm që ka për t’u marrë me temën e të pagjeturve.

I pyetur se si mendon Ekipi Negociator t’a trajtojë konkretisht temën e të pagjeturve, ai ka thënë se në momentin kur do të publikohet platforma për bisedimet me Serbinë, do të kuptohet se çfarë trajtimi do t’i japin kësaj teme.

“Në platformën tonë do të jetë edhe tema e të pagjeturve, ku do të tregohet se si kemi me u marrë edhe me këtë temë dhe marrëveshjen gjithëpërfshirëse do të përfundojë edhe çështja e të pagjeturve”, deklaroi ai.

‘‘Do të mbroj interesin e vendit, ashtu siç kam bërë gjithë jetën time’’, thoshte Thaçi. Por a është në interes të shoqërisë kosovare të gjenden 1647 personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë?

Intervistën me bashkëshorten dhe djalin e Rexhep Mazrekut do të mund ta ndiqni live sonte në orën 20:00 në faqen e Gazetës Insajder.