Rregullimi i bankave europiane me probleme

Rregullimi i bankave europiane me probleme

A mund të ketë ndonjë pamje më të mjerueshme në biznesin global sesa ajo e huadhënësve të Europës? Një dekadë pas krizës financiare globale, ata ende gjenden të mbuluar nga një mjegull e performancës së keqe, disfatave dhe vetëkënaqësisë, shkruan The Economist.

Aksionet e bankave europiane kanë rënë me 22% gjatë 12 muajve të fundit. Banka Deutsche dhe Commerzbank janë në bisedime për të kryer një bashkim të mundshëm bankar ndërmjet njëra-tjetrës.

Dy huadhënës nordikë, banka Danske dhe Swedbank, janë të përfshirë në një skandal gjigant të pastrimit të parave. Industria bën një kthim të kapitalit prej 6.5% dhe investitorët mendojnë se ajo vlen më pak se vlera e likuidimit të saj. Çuditërisht, shumë banka europiane dhe rregullatorë i janë dorëzuar kësaj situate. Në fakt, ky është një rrezik si për investitorët, edhe për ekonominë e lëkundur të Europës.

Bankat, nga ana e tyre, nxjerrin dy justifikime, asnjë prej të cilëve nuk mund të merret si i vërtetë. Justifikimi i parë, se nuk është faji i tyre. Ndryshe nga Amerika, ku bankat kanë një kthim të kapitalit prej 12%, Europa nuk ka interesa pozitive të obligacioneve qeveritare, ose një sërë përfitimesh të investimeve bankare si ato në Wall Street dhe as një treg të madh dhe të integruar brenda vendit. Të gjitha sa u thanë më sipër janë të vërteta. Por po aq i vërtetë është edhe fakti që bankat europiane kanë vepruar në mënyrë të ngadaltë në drejtim të shkurtimit të kostove të tyre, gjë e cila është nën kontrollin e tyre të plotë. Justifikimi i dytë i bankave europiane është se ulja e nivelit të tyre të fitimeve nuk ka aspak rëndësi.

Kapitali i tyre i detyrueshëm është rritur, argumentojnë bankat, dhe prandaj ajo që i çudit ato është se përse rregullatorët dhe taksapaguesit interesohen për vijën fundore? Dhe aksionerët, thonë bankat, janë mësuar të jetojnë me idenë se huadhënësit europianë nuk janë në gjendje të kenë një kthim të kapitalit prej 10%, normën që investitorët kërkojnë nga bankat amerikane dhe shumica e sektorëve të tjerë. Edhe ky justifikim nuk është aspak i vërtetë. Fitimet kanë shumë rëndësi. Ato i bëjnë bankat më të sigurta dhe ato mund të përdoren për të absorbuar kostot e borxhit të keq, ose për të arritur nivelin e tyre të detyrueshëm të kapitalit në një rast të mundshëm recesioni.

Por në rast të një rënieje të mundshme të ardhme dhe kur bankat të kenë nevojë për të grumbulluar kapital, cili investitor do të ishte i gatshëm sa të jepte edhe më shumë para për firmat të cilat nuk e konsiderojnë rritjen e fitimeve si përgjegjësi të tyre?
Në vend që ta pranojnë këtë situatë të mjerueshme, bankat europiane duhet të bëjnë dy gjëra. Së pari, duhet përqafuar efikasiteti dhe dixhitalizimi.

Shpenzimet po bien në një normë vjetore prej rreth 4%, sipas analistëve në UBS. Kjo nuk është e mjaftueshme. Teksa konsumatorët po marrin një pjesë të madhe të shërbimeve bankare nga aplikacionet në telefonat e tyre celularë, rriten edhe mundësitë për të shkurtuar shpenzimet e IT-së, ato të suportit të klientit dhe të degëve të ndryshme. Lloyds, në Britani, ka reduktuar raportin e saj të kostove ndaj të ardhurave deri në 49% dhe pret ta reduktojë atë në 40% deri në vitin 2020. ING-ja, një bankë holandeze, mburret me një kthim mbi kapitalin prej mbi 20%.

Nëse bankat e tjera nuk veprojnë në këtë mënyrë, së shpejti do të gjejnë veten duke u përballur me një situatë ku do ta kenë humbur pjesën e tregut, sepse kjo e fundit do të jetë zënë nga firmat e mëdha teknologjike dhe gjigandët e Sillicon Valley, të tillë si Amazon, që mund të operojnë me një pjesë të kostove të tyre dhe që i trajtojnë klientët e tyre shumë më mirë.
Së dyti, bankat duhet të nxisin konsolidim.

Dëshmitë nga Amerika dhe Azia sugjerojnë se shkalla është duke u shndërruar si kurrë më parë në një avantazh të madh në sektorin bankar, duke lejuar investime të mëdha në platformat e teknologjisë dhe analizën e të dhënave. Europa ka shumë huadhënës. Rreth 48 firma konsiderohen aq të rëndësishme sa duhet për t’iu nënshtruar “testeve të rregullta të stresit”.

Bankat ankohen se arsyeja për këtë është se Europa nuk ka harmonizuar rregulloret e saj. Por kjo është vetëm një pjesë e historisë. Shumica e bankave të mëdha nuk kanë dëshirë të heqin dorë nga pavarësia e tyre, dhe drejtuesit e tyre e duan statusin që ata marrin nga drejtimi i një huadhënësi të madh. Dështimi i bankave për të rregulluar situatën brenda institucioneve të tyre do të thotë se investitorët dyshojnë se menaxherët mund të përballojnë integrimin e dy firmave të mëdha, monitor.al

Bankat europiane janë vënë përballë dy zgjedhjeve. E para është ajo që u premton atyre paqëndrueshmëri financiare dhe ekonomike në rast të një recesioni të mundshëm, si dhe me një rënie afatgjatë. Zgjedhja tjetër është që ato të përshtaten me epokën dixhitale dhe t’u nënshtrohen disiplinave financiare ashtu siç veprojnë edhe bankat amerikane dhe pothuajse të gjitha industritë e tjera. Në fund të fundit duket se zgjedhja që ato duhet të bëjnë nuk është edhe aq e vështirë.