RrGK: Gratë po vriten e po dhunohen, drejtësia po mbyll sytë

RrGK: Gratë po vriten e po dhunohen, drejtësia po mbyll sytë

Rrjeti i Grave të Kosovës thonë se dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një prej formave më pak të ndëshkuara të dhunës, njofton Insajderi.

Ky reagim nga RrGK ndodhi pas rastit ku një zyrtar policor me inicialet R.Sh., për rreth gjashtë muaj kishte sulmuar seksualisht një vajzë të mitur në Gjilan, kurse Gjykata e Apelit të premten e 23 prillit, ka anuluar dënimin me burgim të përjetshëm për Nuhi Mavrovqanin, që vrau gruan e tij me shufër metalike, në korrik të vitit 2020 në fshatin Berivojcë të Komunës së Kamenicës.

RrGK ka cekur se si në të dy këto raste, dhe shumë të tjera të dhunës ndaj grave në Kosovë, institucionet që kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve “po dështojnë ta bëjnë këtë, e madje edhe po e rrezikojnë atë drejtpërdrejt”.

“Kujtojmë se nga viti 2019, dhuna në familje është definuar si vepër penale në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, kjo falë përpjekjeve të disa organizatave të grave. Mirëpo, sado që janë ndërmarrë shumë veprime për ta kriminalizuar dhunën në familje, institucionet e drejtësisë ende po ngurrojnë të japin dënime meritore për vrasësit e dhunuesit e grave”, thuhet në reagim.

Po ashtu, RrGK kanë shtuar se me këtë kulturë të mosndëshkimit, institucionet po e nxisin vazhdimin e dhunës, përdhunimit e të vrasjes së grave.

“RrGK shpreh indinjatë të thellë për këto dy raste, duke u zotuar njëherish që do të ngremë zërin për të kërkuar drejtësi, ashtu si për çdo grua tjetër të dhunuar e të vrarë”. /Insajderi.com