fbpx

RrGK kundër kthimit në rigjykim të rastit të vrasësit Pjetër Nrecaj

RrGK kundër kthimit në rigjykim të rastit të vrasësit Pjetër Nrecaj

Pas vendimit të Gjykatës Supreme e cila e ktheu në rigjykim rastin e Pjetër Nrecaj, i cili vuan dënim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij, Valbona-Marku Nrecaj, dhe vajzës së tyre 9 vjeçare, ka reaguar Rrjeti i Grave të Kosovës .

RrGK përmes kësaj kumtese kundërshton këtë vendim të Gjykatës Supreme, duke kujtuar për publikun se Pjetër Nrecaj me paramendim, kishte privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij Valbona Marku-Nrecaj, si dhe vajzën e tyre.

“Madje, ai para se të realizonte vrasjen e paramenduar, kishte dërguar porosi telefonike kërcënuese ndaj tashmë të ndjerës, pas së cilave edhe kishte realizuar planin për ta vrarë atë. Ndaj të njejtit, ishte shqiptuar edhe padia për mbajtje në pronësi, kontroll, dhe posedim të paautorizuar të armëve. Në momentin e ngjarjes, sipas dëshmitarëve, të pranishëm ishin edhe fëmijët tjerë të çiftit, të cilët poashtu kanë mundur të pësojnë nga gjuajtjet e Pjetër Nrecajt. Për këto vepra, Gjykata e Apelit me të drejtë e dënoi atë me burgim të përjetshëm”, thuhet në reagim.

RrGK konsideron se kthimi në rigjykim për këto vepra ndikon drejtëpërsëdrejti në humbjen e besimit në sistemin e drejtësisë për viktimat potenciale të dhunës në familje dhe familjarët e tyre.

“Dënimi i vrasësve, e veçanërisht i atyre që ligjërisht njihen si ushtrues recividist të dhunës në familje, siç është rasti i Pjetër Nrecaj (ju rikujtojmë që i njëjti ka mbajtur paraburgim pasi që në prani të fëmijëve kishte ushtruar dhunë në familje ndaj tashmë të ndjerës) tregon se sistemi i drejtësisë mbron viktimat e dhunës në familje dhe se vrasja si pasojë e kësaj lloj dhune nuk tolerohet”, thuhet në reagim.

“Prandaj, kërkojmë nga Gjykata Supreme të mos e ndryshojë vendimin e Gjykatës së Apelit, marrë parasysh se të gjitha argumentet ligjore, por edhe vlerat sociale e morale janë në pajtim me dënimin me burg të përjetshëm për vrasjen e dyfishtë”, thuhet në fund të reagimit.