Rriten vdekjet nga opioidet

Rriten vdekjet nga opioidet

Për herë të parë, një ekip studiuesish është përpjekur të nxjerrë shifrat për shtimin e pranimeve të pacientëve në spitalet amerikane dhe të numrit të vdekjeve të tyre për shkak të varësisë nga substancat qetësuese, opioideve.

Studimi përmbledh të dhënat spitalore të shtatë viteve, gjatë periudhës 2009 – 2015, duke pasqyruar për herë të parë në shifra këtë epidemi të opioideve në Shtetet e Bashkuara.

Studimi përmblodhi shifrat e pranimeve të pacientëve për shkak të opioideve në urgjencat e spitaleve të qyteteve kryesore amerikane.

Jennifer Stevens është një ndër autorët e studimit.

“Janë raste që të thyejnë zemrën. Persona në kulmin e jetës, me prindër, me fëmijë dhe me shumë të afërm rrotull tyre, por që po arrijnë në këtë ekstremitet gjithnjë e më shumë. Donim të mësonim nëse kjo po ndodh në të gjithë Amerikën”, thotë mjekja Jennifer Stevens.

Kështu rezultoi vërtet. U konstatua se në periudhën 2009 – 2015, këto raste u rritën me 34%.

Spitalet që studioi zonja Stevens ndodhen në metropolet kryesore amerikane, ndërsa ajo paralajmëron se numri mund të jetë edhe më i lartë në zonat rurale.

“Patëm mundësinë të pyesim stafin e spitaleve në zonat më urbane të vendit. Dyshoj se kjo epidemi mund të ketë goditur edhe më fort komunitetet rurale”, thotë zonja Stevens.

Kostoja e trajtimit të të sëmurëve nga opioidet është rritur me 50%, nga 58 mijë dollarë që kushtonte në vitin 2009, në gati 100 mijë dollarë në vitin 2015.

“Rritja e ndjeshme e kostos është më tepër reflektim i rëndimit të kësaj sëmundjeje”, thotë zonja Stevens.

Mjekja thotë se kjo krizë e opioideve është tepër e zgjeruar për t’u përballuar nga kapacitetet aktuale mjekësore.

“Megjithë çfarë përpiqemi të bëjmë brenda sistemit tonë të kujdesit shëndetësor, gjithnjë e më shumë njerëz po vdesin për shkak të mbidozave nga opioidet dhe prej çrregullimeve që ato shkaktojnë”, thotë ajo.

Jennifer Stevens dhe ekipi i saj u befasuan gjithashtu kur zbuluan se në shumë raste, njerëzit kishin qenë fillimisht të varur nga heroina dhe jo nga opioidet që merrnin pa recetë nga mjeku.