Rritet importi dhe konsumi i energjisë elektrike në Kosovë

Rritet importi dhe konsumi i energjisë elektrike në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar bilancin e ri të energjisë për tremujorin e dytë të vitit 2019 (TM2) sipas të cilit është rritur konsumi dhe importi i energjisë elektrike në vend.

Në tremujorin e dytë të 2019-së, sasia e energjisë elektrike për konsum ishte 1,039.5 GWh. Në raport me tremujorin e njejtë të vitit të kaluar, sasia e energjisë elektrike të konsumuar është rritur për 21.5 për qind.

Gjithashtu, në po të njejtën periudhë kohore Kosova kishte importuar rreth 78.5 GWh energji elektrike. Në raport me tremujorin e njejtë të vitit të kaluar, sasia e energjisë elektrike të importuar është rritur për 241 për qind.

Kosova furnizimin me energji elektrike e ka të bazuar kryesisht në dy termocentrale të vjetra, njëri nga të cilët është afër mbylljes. Listës së prodhuesëve të energjisë në vend i janë shtuar edhe disa projekte të energjisë së ripërtrishme.

Përvec të lartëpërmendurave, furnizimi i energjisë në vend është i bazuar edhe në importe të energjisë, ani pse vendi është i dyti në Evropë për nga rezervat e thëngjillit.

Vetëm gjatë dhjetë viteve të fundit, Kosova ka importuar mbi gjysmë miliardi euro energji elektrike. Kosova kishte importuar rrymë kryesisht nga Serbia.

Marrë parasysh konsumin në rritje të energjisë elektrike, pas mbylljes së termocentralit Kosova A dhe në mungesë të termocentralit të ri dhe projekteve tjera të energjisë së ripërtrishme, vendi do të përballet me mungesë të dukshme të energjisë elektrike, ose do i duhet të rrisë vlerat e importit të energjisë për të siguruar furnizimin e rregullt me energji elektrike.

Ndryshe, konsumi i energjisë elektrike është në rritje të vazhdueshme edhe në botë dhe më i theksuar në vendet në tranzicion, zhvillimi i të cilave nuk mund të paramendohet me mungesë të energjisë elektrike.