Rritet numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri

Rritet numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri

Shtohen 34 raste të reja me Covid-19 në Shqipëri, duke e çuar numrin total të të prekurve në 712. Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet në Mat dhe zgjerohet në Krujë, Tiranë, Kukës, Kurbin, Berat, Fier, dhe Lushnje.

Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 247 persona të dyshuar me COVID-19. Harta u zgjerua me Matin dhe personi i infektuar është personi kontakt me personin që punonte në një nga fasoneritë e Krujës

“Edhe pse ka një numër të lartë të rasteve sot, pjesa më e madhe janë asimptomatikë, pra pa shenja të sëmundjes dhe kryesisht janë kontakte të rasteve positive të mëparëshme. Vijon hetimi epidemiologjik në vatrën e Krujës, ku janë zbuluar 18 raste, të gjitha janë kontakte të rasteve të zbuluara para disa ditës, Siç është edhe një rast në Mat, kontakt i një prej rasteve pozitive të Krujës që lidhet me vatrën në fasoneri. Nga asnjë fasoneri tjetër nuk kemi deri më sot asnjë rast simptomatik. Kjo tregon qartë se në këtë përballje me coronavirusin, rolin kryesor e luan sjellja jonë në raport me rregullat”, thuhet në njoftim.

Deri në këto momente janë testuar 7015 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 712 raste.

Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 403.