Protesta kundër plagjiaturës

Rron Gjinovci shoqërohet në polici: “për shkak të ekspozimit të plagjiaturave të Ministrit Ramë Likaj”

Rron Gjinovci shoqërohet në polici: “për shkak të ekspozimit të plagjiaturave të Ministrit Ramë Likaj”

Aktivisti dhe drejtori i organizatës për cilësi në arsim, ORCA, Rron Gjinovci, është shoqëruar për në stacion policor, njofton Insajderi.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gjinovci, përmes një statusi në Facebook.

Ai thotë se arsyeja e marrjes nga policia është ekspozimi që u bëri punimeve të ministrit aktual të Arsimit, Ramë Lekaj, e për të cilat thotë se janë plagjiaturë.

“Qytetarë, sapo u shoqërova në stacionin policor Qendra për shkak të ekspozimit të plagjiaturave të Ministrit Ramë Likaj. Kjo nuk ka ndodhë asnjëherë më parë”, ka shkruar Gjinovci në Facebook.

Ai e ka ndërlidhur veprimin e policisë në raport me të, me pushtetin aktual dhe qeverinë që udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Kjo po ndodh kur Ministër i Brendshëm është Agim Veliu i qeverisë jo-legjitime Hoti”, ka shkruar Gjinovci në Facebook.

Ai ka treguar se është mirë dhe se është i shoqëruar nga avokatja e tij.

Drejtori i ORCA-s, është shoqëruar nga organet e rendit, pasi ka organizuar një protestë në sheshin “Zahir Pajaziti”, kundër ministrit të Arsimit Likaj.

Gjinovci protestën kundër Likajt, ka quajtur “ekspozita e parë e plagjiaturave në Kosovë”, duke aluduar kështu në pretendimet se ministri Likaj sa ishte profesor universitar ka publikuar punime të vjedhura.

ORCA  e kishte akuzuar Likajn për plagjiaturë para disa kohe, duke i përmendur edhe numrin e madh të publikimeve shkencore brenda një kohe shumë të shkurtër.

Me sarkazëm, kjo organizatë e kishte quajtur Likajn “supermen”.

Ministri është përgjigjur ndaj këtyre akuzave.

Ka thënë që as nuk do të merret me ta, sepse janë njerëz me agjenda, por edhe jo kompetentë për ta vlerësuar punën e tij.

“Unë kam 26 vjet që punoj në arsim dhe punën time e vlerësojnë studentët dhe kolegët. Kam kryer fakultetin para kohe, student i dalluar me notë shumë të lartë. Puna ime është e dëshmuar, më kanë vlerësuar njerëzit profesionistë. Nuk merrem me fjalë te rrugëve”, ka thënë ministri.

“Ata persona fyerjen e kanë projekt, pastaj propagandat e tilla i shfrytëzojnë për shantazhe. Kanë bërë kështu edhe më parë dhe kanë përfituar miliona euro. Unë kam vetëm mundin tim dhe ndershmërinë”.

Sipas Likajt, për ta ditur se çfarë akademiku dhe sa i përgatitur është në të vërtetë, atëherë duhet të pyeten ata që e njohin më mirë, e jo kritikuesit e tij.

“Mund t’i pyesni studentet e mi, puna ime është e dëshmuar, nuk dua të flas për vetveten, pasi kanë folur njerëzit kompetentë”. /Insajderi.com