Rrugëtimi i sekserit Gashi drejt dy posteve qeveritare

Shtegtimi i Dardanit Gashit përreth partive politike përfshin Listën Rugova, AAK-në, PDK-në, AKR-në. Është rikthyer sërish afër AAK-së, të cilën bashkë me shokë e kishin tradhtuar më 2011.

Rrugëtimi i sekserit Gashi drejt dy posteve qeveritare

Dikur kishte ekzistuar një subjekt politik i regjistruar në KQZ me emrin “Lista Rugova”. Anëtarët e saj ishin shkrirë në listën e AAK-së për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010.

Prej “Rugovistëve”, vetëm Ukë Rugova kishte arritur t’i fitonte votat për deputet. AAK-ja e Ramush Haradinajt kishte humbur në zgjedhje. Fitues kishte dalë PDK-ja e Hashim Thaçit.

PDK-së i duhej edhe vota e Ukë Rugovës për ta formuar Qeverinë. “Rugovistët” menjëherë kishin tradhtuar Haradinajn. Ata e kishin bërë një pazar të mirë me Thaçin. E kishin shitur shtrenjtë votën e deputetit Ukë Rugova.

Kishin përfituar tri poste qeveritare. Bujar Bukoshi ishte bërë ministër, e më pas zv/kryeministër, Dardan Gashi ministër i Mjedisit, ndërsa Astrit Haraqija, zëvendësministër i Financave.

Deri më sot ky ishte një prej pazareve më të çuditshme i ndikuar nga para-politika. Por, pas gjashtë vjetësh Dardan Gashi ia theu rekordin vetes.

“Lista Rugova” është shuar. Nuk ka hyrë në zgjedhje dhe nuk është e regjistruar fare në KQZ. Pavarësisht faktit që kjo organizatë nuk është e ligjshme, Dardan Gashi përfitoi dy poste qeveritare në krah të saj.

Haradinaj e bëri Dardan Gashin ministër të Diasporës dhe zv/kryeministër, edhe pse ky e tradhtoi në vitin 2010.

Gashi, përveç tradhtisë që ia bëri në të kaluarën Haradinajt, nuk është shquar asnjëherë për besnikëri ndaj partive të cilave u kishte shërbyer. Për një kohë të shkurtër kishte mbajtur edhe postin e nënkryetarit të AKR-së dhe ishte kandidat për deputet nga kjo parti. Në momentin kur kishte humbur, e kishte tradhtuar Pacollin duke ikur nga AKR-ja.

Duke lënë anash të kaluarën, Gashi tash është pjesë e kabinetit qeveritar ku bëjnë pjesë edhe dy politikanë, të cilët i kishte tradhtuar në të kaluarën.

Por, cili ishte kontributi i Gashit që e bëri Haradinajn ta harrojë tradhtinë që ia kishte bërë ‘Lista Rugova’, para gjashtë vjetësh?

Gashi u angazhua si sekser gjatë kësaj vere. Ishte i pandalshëm në punën e tij, duke kontribuar që Ramush Haradinaj e Kadri Veseli të ndihmoheshin nga vota e Teuta Rugovës. Bashkë me Haradinajn, të cilin e kishte tradhtuar në të kaluarën, kishte qenë për vizitë në shtëpinë  e familjes Rugova. Gashi ishte i pranishëm edhe në takimin me Adem Grabovcin, Daut Haradinajn e Ukë Rugovën, që ishte zhvilluar disa ditë para se të mbahej seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ata i kishin kërkuar Ukës që ta ndihmonte për ta bindur motrën e tij,Teutën, që të votonte në interes të koalicionit PAN. Angazhimi i tyre mbrëmjeve të vona kishte rezultuar i suksesshëm. Teuta Rugova votoi për interes të PAN-it.