Rrushi me erë është fruti që nuk duhet të mungojë në rutinën tuaj ditore gjatë stinës së vjeshtës

Rrushi me erë është fruti që nuk duhet të mungojë në rutinën tuaj ditore gjatë stinës së vjeshtës

Rrushi me erë është një frut që gjindet me shumicë në vendin tonë dhe tani është koha e duhur për vjeljen tij, prandaj e gjejmë pothuajse kudo, në dyqanet e afërta, në tregjet e qytetit, apo si pjesë të recetave.

Janë të paktë ata që nuk u pëlqen ky lloj rrushi, e nëse ndodh, është kryesisht për shkak të lëkurës më të trashë krahasuar me rrushin e zakonshëm, mirëpo kjo gjë e ka bërë burim të madh të antioksidantëve.

Përpos konsumimit, ky lloj rrushi mund të përdoret për pregatitjen e verës dhe rakisë.

Mirëpo përpos këtyre vetive, po sjellim për ju informata të cilat do të ju tregojnë më shumë për benefitet e rrushit me erë për shëndetin tonë.

Për Shëndetin e Trurit, Zemrës dhe Kockave

Rrushi me erë është i pasur në vlera ushqyese. Ndihmon në parandalimin e osteoporozës, problemet me kockat duke ndikuar në ruajtjen e dendësisë së tyre. Gjithashtu, rrushi me erë ka veti të forta në parandalimin e krijimit të venave varikoze.

Ndihmon në përmirësimin e funksionimit të trurit dhe parandalon lindjen e disa sëmundjeve degjeneruese.

Duke patur në përbërjen e saj sheqerna të thithshme nga trupi i njeriut si fruktoza dhe glukoza, rrushi me erë, por jo vetëm edhe llojet e tjera të tij duhet të konsumohet në sasi të kontrollueshme nga diabetikët.

Rrushi përmban shumë antioksidantë dhe energji natyrale, është i pasur me kuercetinë dhe resveratrol. Të dy njihen si antioksidantët më të fuqishëm.

Të gjitha llojet e rrushit përmbajnë polifenolë të njohur si acidi fenolik dhe flavonoide. Fruti i rrushit ndihmon në uljen e rrezikut të formimit të trombozës që mund të shkaktojë atak në zemër.

Ekspertët sugjerojnë se rrushi jo vetëm që pakëson gjasat e mpiksjes së gjakut në arterie, por edhe forcon oksidin nitrik që i mban arteriet të shëndetshme e të forta.

Lëngu i rrushit përmban flavonoidë që parandalojnë oksidimin e kolesterolit të keq në trup, që shkakton një barrë të rëndë në arterie dhe shkakton arterosklerozë./Insajderi.com