Rryma prinë në listën e produkteve të importuara nga Serbia

Rryma prinë në listën e produkteve të importuara nga Serbia

Taksa prej 100 për qind mbi produktet e importit nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka ngjallur reagime të shumta. Serbia është partneri kryesor tregtar i Kosovës sa i përket importeve, pasi me rreth 450 milionë euro në vit, përfaqëson 15 për qind të importeve në Kosovë.

Në vend të parë qëndron energjia elektrike, me rreth 12 për qind peshë në importet e Serbisë në vend, më pas ndjek kategoria e naftës, me rreth 11 për qind, ndërkohë që në vend të tretë janë drithërat, me diçka më pak se 10 për qind.

Aktualisht, prodhimi i rrymës në Kosovë mbulon vetëm 50% të kërkesave në vend të qytetarëve dhe të bizneseve për energji elektrike, deri sa pjesa tjetër e energjisë së kërkuar mbulohet me import.

Sipas strategjisë së tyre energjetike, Serbia planifikon ndërtimin e termocentraleve me kapacitet të përgjithshëm prej rreth 2500 megavatësh. Mediat kanë raportuar se me këtë veprim, Serbia tenton të ketë pozitën e liderit energjetik në Ballkan.

Prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë varet nga dy termocentrale të stër-vjetërruara, që nga Banka Botërore vlerësohen edhe si ndër ‘epiqendrat’ më të mëdha të ndotjes në Evropë.

Sipas strategjisë së energjisë, Kosova do të zëvendësojë termocentralin Kosova A me termocentral të ri prej 500 megavatësh, duke ndikuar kështu dukshëm në uljen e vlerave të ndotjes.

Kësisoji, përmes termocentralit të ri dhe kapaciteteve shtesë prej burimeve të ripërtrishme, Kosova mëton të sigurojë mjaftueshëm energji për vete dhe kështu të shuajë nevojën për import të energjisë elektrike.

Në mungesë të kapaciteteve të reja të prodhimit, Kosova rrezikon të përballet me mungesa të shumta të energjisë elektrike për konsum.

Ndërprerjet e shumta të energjisë elektrike në Kosovë u kanë shkaktuar humbje të mëdha bizneseve dhe qytetarëve. Rreth 300 milion euro llogaritet të jenë humbjet vjetore të bizneseve të shkaktuara nga probleme të furnizimit me energji elektrike.

Në Ballkanin Perëndimor po bëhet një garë e madhe e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike. Ndërsa, Kosova në këtë aspekt është vonuar tej mase. Ideja për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike nga thëngjilli ka nisur nga viti 2006.