Ruçi kërkon ndjesë për përplasjen e Gardës me ish-kryeministrin Berisha në Kuvend

Ruçi kërkon ndjesë për përplasjen e Gardës me ish-kryeministrin Berisha në Kuvend

Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi në një intervistë në “Top Story” në “Top Channel” ka komentuar zgjedhjen e Kryeprokurores së re të Përgjithshme të Përkohshme mes përplasjeve në sallën e Kuvendit. Ruçi tha se është ndjen përgjegjësi për këtë situatë të krijuar dhe se ka kërkuar falje publike.

“Unë kërkova para disa ditësh edhe ndjesë publike publikut shqiptar. Dua ta sqaroj edhe për publikun këtë çështje. Nuk kishte asnjë arsye në atë moment, sigurisht, Garda ka detyrat e saj të përcaktuara në rregullore se si, kur dhe pse ndërhyn dhe për atë punë është. Kjo nuk është një sajesë shqiptare, por e ka çdo Parlament. Cili ishte gabimi i saj? Gabimi i saj ishte se, nuk ishte ai moment dhe nuk paraqiste asnjë rrezikshmëri që Z. Berisha mori fjalën dhe mbi të gjitha, që nuk e mori fjalën vetë, por ia dhashë unë. Z. Berisha e ka kërkuar fjalën në të njëjtën kohë më Z. Balla. Sigurisht, që unë ia kisha dhënë fjalën Z. Balla dhe i kam thënë Z. Berisha, menjëherë për procedurë, menjëherë sa të mbarojë Z. Balla, fjala e keni ju. Z. Berisha ishte në të drejtën e tij që të merrte fjalën. Prandaj, kur kërkova ndjesë, ishte edhe ky moment i vetmi gabim i ndërhyrjes së shërbimit të Gardës, momenti që z. Berisha u ngrit.” – u shpreh Ruçi.