Rukiqi thotë se vendosja e taksave prej 10% ndaj Serbisë është gati e domosdoshme

Rukiqi thotë se vendosja e taksave prej 10% ndaj Serbisë është gati e domosdoshme

Dy ditë më parë Qeveria Haradinaj i ka vendosur masë ekonomike prej 10% produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja. Këtë vendim të qeverisë po e mirëpret kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Në një intervistë për Insajderin Rukiqi ka thënë se Serbia vazhdon të paraqes probleme për Kosovën në raportet tregtare. Ka thënë se për shkak të Serbisë, Kosova vazhdon të prezantohet si UNMIK Kosovo në CEFTA.

“Ne kemi probleme të vazhdueshme me Serbinë në raportet tregtare. Kosova nuk pranohet brenda CEFTA-së duke pasur pengesat e Serbisë, ende është kërkesë e tyre që ne të prezantohemi si UNMIK Kosovo, kur ne e dimë që UNMIK-u ka mbetur një organizëm fantom. Është e palogjikshme të njihemi si ‘UNIMK Kosovo’ brenda CEFTAS. Gjithmonë kemi insistuar ta definojmë rolin tonë”, ka deklaruar Rukiqi.

Rukiqi ka thënë se Serbia dhe Bosnja po iu shkaktojnë probleme të mëdha jo vetëm dokumentacionin për mallra por edhe të lëvizjeve të njerëzve. Ka thënë se produktet “Made in Kosova” nuk mund të futën në Serbi.

“Serbia dhe Bosnja shkaktojnë jashtëzakonisht telashe të mëdha sa i takon dokumentacionit, jo vetëm për mallra por edhe për lëvizje të njerëzve. E  dimë që e kemi gati të pamundur lëvizjen drejtë Bosnjës ose i kemi ‘100 milionë’ telashe po them kushtimisht me Serbinë”.

“Pastaj kemi rasti të pritjeve në kufij për shumë mallra tona që edhe në formë të lëndës së parë që mund të eksportohen në Serbi, po thuajse është e pamundshme që kanë etiketën ‘Made in Kosova’ të eksportohen në Serbi. E kemi rastin e një kompanie që pret 1 muaj dhe e cila nuk e ka të qartë se si mund të regjistrohet dhe të kalojë në tregun serb, ku sigurisht edhe mund ta gjej vetën për shkak se ka një cilësi të caktuar. Ka depërtuar në vendet e tjera, por jo edhe në Serbi për shkak se e ka ‘Made in Kosova’”, ka deklaruar Rukiqi për Insajderin.

Me tej kryetari i OEK, ka thënë se rreth 30 milionë euro i shkaktohen dëme Kosovës nga mos respektimi i marrëveshjes për energji elektrike. Sipas tij duke parë qasjen e tillë të Serbisë veprimet e Qeverisë së Kosovës janë gati të domosdoshme.

“Shto një dëm të vazhdueshëm që në baza vjetore shkon deri në 30 milionë euro  nga mos respektimi i marrëveshjes për energji që është një element i rëndësishëm në raportet ekonomike që e kemi me Serbinë”.

“Atëherë masat e tilla janë gati të domosdoshëm në mënyrë që të tentohet të arrihen efekte që së paku në aspektin ekonomik dhe financiare të sillën drejtë. Së paku një sjellje që është minimale në respektim të obligimeve ndërkombëtare dhe bilaterale”, ka deklaruar Rukiqi në Intervistë për Insajderin.