Rusia i reagon Haradinajt për bashkimin kombëtar: Bëhet fjalë për një provokim të radhës

Rusia i reagon Haradinajt për bashkimin kombëtar: Bëhet fjalë për një provokim të radhës

Ambasada e Rusisë së Shqipëri ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, për idenë e tij të dhënë së fundmi për “Shqipërinë e Madhe”, njofton Insajderi.

Ambasada Ruse në Shqipëri këto deklarata i ka quajtur si provokim dhe shantazh politik të Haradinajt.

“Kohët e fundit një nga politikanët shqiptarë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se synon të kërkojë mbajtjen e një referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nëse ky pseudo-shtet i vetëshpallur nuk pranohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare si dhe Beogradi nuk do të njohë “pavarësinë” e Kosovës. Këtu po bëhet fjalë për një provokim të radhës, të implikuar në ideologjinë e Shqipërisë së Madhe, e cila kohët e fundit ka përparuar gjithnjë e më intensivisht në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit. Shantazhi politik është i papranueshëm dhe pikërisht kështu duhet të interpretohet fjalimi i R. Haradinajit, i cili me lehtësi propozon të rishikojë në mënyrë arbitrare kufijtë në Ballkan”, ka shkruar Ambasada në një reagim në Facebook.

Haradinaj kishte deklaruar ditë më parë se nëse Serbia dëshiron të shmangë një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, atëherë Serbia duhet ta njoh shtetin e Kosovës.

“Shpjegova për rrezikun që Kosova të mbetet në pozita të njëjta për shumë vite në vijim, e rrethuar dhe e izoluar. Edhe pse ne kemi orientimin tonë euroatlantik, nuk jemi pa opsion, nëse kjo gjendje e Kosovës do të vazhdojë me tendenca që të zgjatet deri në pafundësi. Opsioni tjetër, do të jetë Referendumi i organizuar për bashkimin tonë më Shqipërinë, sepse ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Ky nuk është kërcënim për askënd, por thjesht Kosova e ka të domosdoshme anëtarësimin në NATO, qoftë si shtet i pavarur, qoftë si e bashkuar me Shqipërinë”, kishte deklaruar Haradinaj.

Ndërsa, reagimi vjen në një kohë ku Shqipëria shpalli ‘non grata’ diplomatin Alexez Krivosheev, për shkak të mosrespektimit të masave anti-COVID. Këtë dëbim Rusia e ka cilësuar si një provokim nga ana e Shqipërisë dhe sipas tyre nuk do lihet pa përgjigje reciproke. /Insajderi.com