Rusia paralajmëron për planin A të Ramës

Ministria e jashtme e Rusisë pretendon se “po intensifikohen përpjekjet që të integrohen rajonet të populluara me shqiptarë në Ballkan”.

Rusia paralajmëron për planin A të Ramës

Ministria ruse ka paralajmëruar se “me këtë po komplikohet dialogu në mes Serbisë dhe Kosovës dhe po minohet atmosfera e besimit në gjithë rajonin”.

Në këtë kumtesë është vlerësuar se “përkrahësit perëndimor të Tiranës po vazhdojnë të bëhen sikur nuk i vërejnë aspiratat aktive shqiptaromëdha”.

Intensifikimi i përpjekjeve të integrohen rajonet e populluara me shqiptarë nëpër vendet fqinje ballkanike dhe institucionalizimi i këtij procesi në kuadër të Lidhjes Rajonale të Komunave Shqiptare nuk është i padëmshëm”, pretendohet në kumtesë.

Nga ana tjetër, ministria ruse pretendon se “nuk mund të injorohen një sërë hapash të cilat po i ndërmerr udhëheqja aktuale shqiptare, në lidhje me konsolidimin e faktorit shqiptar në kuadër të politikës rajonale të Tiranës”.

Në këtë kontekst, përkujton se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama “ka thënë haptas se Kosova për të është pjesë e Shqipërisë” dhe se “bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës nuk është plani B por plani A”.

“Realizimin e këtij plani, kryeministri shqiptar e ka lidhur me debatet të politikës së brendshme dhe të asaj jashtme rreth korrigjimit të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht në kuadër të procesit të dialogut me qëllim të arritjes së zgjidhjes së marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës”, pretendohet në kumtesë.

Ministria i ka bërë thirrje partnerëve perëndimor të Shqipërisë që më në fund të reagojnë në “pretendimet e qarta shqiptaromëdha të Tiranës”./Insajderi.com.